Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryepokurorit të Shtetit kanë dënuar ashpër kërcënimet që zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli, ka marrë as rastit të sekuestrimit të mbi 1 ton drogë në Pejë.
Më 28 shtator 2024, u bë e ditur se në një aksion në Sferkë të Pejës u kap mbi 1 ton drogë dhe u arrestua një i dyshuar.
Përmes një komunikate për medie, KPK dhe ZKPSH kanë dënuar ashpër kërcënimet që janë ndaj Qavollit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), dënojnë ashpër kërcënimet e bëra përmes rrjeteve sociale ndaj prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda, njëkohësisht Zëvendëskryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë, z. Ersan Qavolli, të cilat vijnë si rrjedhojë i punës së tij zyrtare që ndërlidhen me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit për rastin e plantacioneve me bimë narkotike, të zbuluara kohëve të fundit”, thuhet në njoftim.
Më tej, KPK dhe ZKPSH, theksuan se këto kërcënime janë akte të shëmtuara, të papranueshme dhe të patolerueshme.
“…andaj ua bëjnë me dije atyre që fshihen prapa tyre se janë të vendosur të qëndrojnë fuqishëm në përkrahje të prokurorit Qavolli dhe do t’i ofrojnë mbështetje të plotë për punën e tij në ndjekjen e kryeseve të veprave penale”, thuhet në njoftim.
KPK dhe ZKPSH, njoftojnë se në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kërcënuar prokurorin Qavolli dhe, njëkohësisht, janë duke e trajtuar seriozisht këtë veprim penal deri në ndriçimin e plotë të tij, i cili ka për qëllim pengimin në ushtrimin e funksionit dhe detyrave të tij kushtetuese dhe ligjore.
“Në këtë drejtim, KPK-ja dhe ZKPSH-ja, sigurojnë opinionin publik se kërcënimet dhe shantazhet e tilla, çfarëdo qofshin dhe nga kushdo qofshin, të cila bëhen ndaj prokurorëve të shtetit nuk do t’i zmbrapsin asnjëherë synimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit ligjor në Kosovë”, thuhet në fund.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar ta marrë një qëndrim nga Qavolli lidhur me këto kërcënime, mirëpo i njëjti na tha t’i referohemi komunikatës.