Kelmendi: Sipas SHBA-së, Kurti duhet ta kuptojë se shtëpinë e ka në flakë

E publikuar: 30/05/2023 18:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari, Adriatik Kelmendi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, sipas ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, duhet urgjent të marrë përsipër masat për ta kuptuar se Kosova gjendet në tension të lartë si pasojë e hapave të ndërmarrë në komunat veriore.

”Të gjitha këto për një arsye sipas tij meqë Qeveria e Kosovës, nuk është koordinuar me SHBA, për hapat që kanë ndërmarrë për të vendosur kryetarët e verioreve në objektet e komunave”, u shpreh Kelmendi i cili ndoqi nga afër diskutimin e ambasadorit Hovenier me gazetarë, transmeton klankosova.tv.

”Porosia e tij dhe e nënvizuar edhe me porosinë e vet sekretarit, Anthony Blinken, ishte që kryeministri Albin Kurti duhet menjëherë të vërejë se ‘’Shtëpia është në flakë’’, sic u shpreh ai në mënyrë figurative duke treguar nivelin e urgjencës”, tha mes tjerash Kelmendi, njëherit drejtor ekzekutiv i Klan Kosovës.

Siç thotë ai, ky zhvillim me të vërtetë është shqetësues.

”Është një lajm i keq për Kosovën, nuk është lehtë, të dëgjohet që përfaqësuesi i SHBA-së, shteti që ka sponzorizuar Pavarësinë e Kosovës, dhe falë të cilit edhe janë bërë ndoshta edhe pjesa më e madhe e lobimit për njohjet, thotë se më nuk do të angazhohet për njohjet shtesë, se e kanë përjashtuar Kosovën nga një program i përbashkët, siç është Defender Europe 23, dhe të thotë se edhe zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës, në njëfar forme nuk janë të mirëseardhur në takime me SHBA apo që të udhëtojnë atje”.