Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), do të obligohet t’ua paguajë 3 milionë e 300 mijë euro mbi 900 punëtorëve të saj. Punëtorët do të marrin mesatarisht 3 mijë 500 euro secili për punën e kryer gjatë ditëve të vikendeve, e të cilat nuk iu ishin paguar më parë. Rasti ka marrë epilog final ligjor të martën, bazuar në një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese.
KEK-u ka humbur një rast gjyqësor ndaj mbi 900 punëtorëve të saj dhe si pasojë do të obligohet t’ua paguajë atyre 3,3 milionë euro.
Kjo shumë e parave do tu jepet punëtorëve si kompensim për ditët e punës gjatë vikendeve, për periudhën 2011 deri më 2018.
Këtë rast gjyqësor, punëtorët e kishin fituar ndaj KEK-ut në dy shkallët e para të gjykatave, të cilat kishin urdhëruar KEK-un t’ua paguajë paditësve kompensimin në formë të pagave shtesë që nuk u ishin paguar për punën gjatë fundjavave.
Ndërsa KEK-u e kishte kundërshtuar këtë duke parashtruar kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, të cilën kjo e fundit e refuzoi si të pabazuar.
Por menaxhmenti i KEK-ut nuk ishte ndalur me kaq. Betejën e kishte vazhduar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Aty kishte kërkuar nga gjykata që të vlerësojë kushtetutshmërisë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës.
Por, saga disa-vjeçare për 3,3 milionë eurot ka marrë epilog final të martën e fundit të shtatorit 2022.
Më 27 shtator, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë aktvendim përmes së cilit ka vërtetuar vendimin e Supremes.
Sipas vlerësimit të Kushtetueses, Supremja nuk ka shkelur dispozitat kushtetuese me dhënien të drejtë punëtorëve për kompensim për punën gjatë ditëve të vikendit.
“Rrjedhimisht, Gjykata i analizoi pretendimet e parashtruesit e kërkesës me ç’rast edhe konkludoi që të gjithat aktgjykimet e kontestuara për nga përmbajtja i plotësojnë kriteret e një vendimi gjyqësor të arsyetuar, gjë që është pikërisht në përputhje me kërkesat e nenit 160 paragrafi 4 të LPK-së. Nga sa u tha më lart, pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në kontekstin e vendimeve gjyqësore të paarsyetuara Gjykata i hodhi poshtë si pretendime që bien në kategorinë (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me vendimin e Kushtetueses për Paparacin të martën ka folur edhe avokati i punëtorëve të KEK-ut, Xheladin Osmani.
Ai ka thënë se Kushtetuesja tashmë ka dalë me vendim dhe se lënda e punëtorëve për kompensim tashmë është në procedura përmbarimore.
“Po kushtetuesja ka marrë vendim. Tash ato janë procedura, tash është lënda te përmbaruesi”, ka thënë avokati Osmani./EO/