Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka bërë një postim domethënës duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të gjerë politik dhe shoqëror në prag të zgjedhjeve.
Ai ka njoftuar se më 9 shkurt, numri 137 do të përfaqësojë një aleancë të fuqishme mes AAK-së, Nismës, Konservatorëve, Forumit Intelektual E-30 dhe Listës Ideale. Sipas tij, ky bashkëpunim është një shenjë e qartë e përkushtimit për të punuar së bashku në interes të qytetarëve dhe për të siguruar një fitore të rëndësishme për vendin.
“Numri 137 nuk është thjesht një numër, por një premtim për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët,” ka shkruar Isufi, duke theksuar se ky bashkëpunim është ndërtuar mbi vizionin për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të bashkuar.
Mesazhi i tij ka nxitur reagime pozitive nga mbështetësit, të cilët e kanë vlerësuar këtë bashkëveprim si një hap të rëndësishëm drejt ndryshimit të shumëpritur.