Kadriu: Janë bërë të gjitha përgatitjet për testin e arritshmërisë

E publikuar: 14/05/2018 09:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth 30 mijë nxënës të klasave të nënta në gjithë Kosovën, do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë më 18 maj, e që e organizon Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Sipas MASHT-it, janë bërë të gjitha përgatitjet në 107 qendrat e testimit, ku do të organizohet testi. Njohës të arsimit, vlerësojnë se ky test mundëson vlerësim të nivelit të njohurive për shkollim të mesëm.

Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Mustafë Kadriu, tha për Radio Kosovën se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e testit në datën e caktuar.

“Të gjitha përgatitjet janë bërë që me 18 maj të realizohet administrimi i testit. Është përgatitë testi, është përkthyer dhe është dizajnuar, dhe gati jemi për printimin e testit. Janë rreth tridhjetë mijë nxënës që do t’i nënshtrohen testit”, tha Kadriu.

Kadriu tha se testi i arritshmërisë është ndër elementet e rëndësishëm për orientim të nxënësve për regjistrimin e tyre në drejtimet me konkurrencë.

“Një prej elementeve të diferencimit të vazhdimit të shkollimit të mëtutjeshme është edhe testi i arritshmërisë. Në mënyrë që, varësisht çfarë notash kanë marrë gjatë shkollimit të më hershëm dhe në testin e arritshmërisë sa pikë kanë marrë, ato janë kriter se ku në cilin drejtim kanë mundësi të hynë në konkurrencë”, thotë Kadriu.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën, se ky test mundëson orientimin e tyre për shkollimin e mëtutjeshëm dhe vlerësimin e marrjes se njohurive në shkollimin paraprak.

“Sigurisht ky është një test i cili ndihmon orientimin e tyre në arsimin e mesëm të lartë. Rezultatet e testit të arritshmërisë do të tregojnë se në çfarë mase është përvetësuar kurrikula në shkollat e mesme të ulëta”, tha Pupovci.

Rezultatet e testit të arritshmërisë do të publikohen me datën 1(një) qershor, ndërsa afati i ankesave do të jetë i hapur tri ditë pas shpalljes së rezultateve./RTK/