A ka hequr dorë Kuvendi nga blerja e skanerit 200 mijë eurosh?

E publikuar: 21/09/2016 09:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Futja e gazit lotsjellës dhe mjeteve tjera të rrezikshme  brenda Kuvendit të Kosovës ,e kishte shtyrë organin më të lartë legjislativ në vend t’i kërkojë Qeverisë ndarjen e një shumë të konsiderueshme  të parave për blerjen e një skaneri special, i cili do të pamundësonte futjen e gazit lotsjellës.

Qeveria e Kosovës, i ishte përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese duke ndarë mbi 200 mijë euro në mars të këtij viti. Gjashtë muaj më pas, Kuvendi i Kosovës, ende nuk ka arritur të blejë një skaner të tillë. I kontaktuar nga Indeksonline, Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi thotë se blerja e këtij skaneri është në procedure.

“Blerja e skanerit është në procedurë. Mjetet ekzistojnë”, ka thënë shkurt Krasniqi. Ai nuk ka qenë në gjendje të tregoj, nëse Kuvendi ka hequr dorë nga blerja e një skaneri të tillë. I pyetur se kur ky skaner do të jetë në dispozicion të Kuvendit, Krasniqi ka thënë se nuk mund të paragjykojë një gjë të tillë.

E, në anën tjetër, monitoruesit e punës se Kuvendit e shohin të paarsyeshme shpenzimin e një shumë kaç të madhe për blerjen e një skaneri. Albert Krasniqi nga KDI thotë se përveç shumës se madhe një skaner i tillë cenon edhe privatësinë e personave që i nënshtrohen këtij skaneri.

“Këto mjete do të ishte më mirë që të investohen në avancimin e teknologjisë në Kuvend, por edhe në elemente tjera të sigurisë, por jo domosdoshmërisht në skaner. Ekzistojnë edhe forma tjera të skanerëve të cilët do të ishin më pak të kushtueshëm”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline.

Organët e sigurisë, sipas tij, nuk e kanë kryer punën sic duhet sepse nuk është dashur më leju qe mjete të tilla të futën në organin më të lartë legjislativ në vend.