Juridiku shkel Konkursin, përsërit testin me shkrim për doktorantët

E publikuar: 01/10/2016 12:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Profesorët që i mësojnë studentët për ligjin, për të drejtën penale, për të drejtën civile, për procedurat ligjore e kushtetuese kanë vendosur që vetë të shkelin ligjin (konkursin). Pa asnjë argument, komisioni për pranimin e studentëve të doktoratës, ka vendosur të përsërisë testimin me shkrim. Kandidatët kanë shprehur dyshime se po përgatiten dallavere dhe manipulime politike.

Enver Hasani, Iliriana Islami, Nerxhivane Dauti, Mirlinda Batalli, Mejdi Bektashi e Azem Hajdari e kanë marrë një vendim krejtësisht në kundërshtim me konkursin për pranimin e studentëve në studime doktorale.

Pa e bazuar në asnjë arsyetim ligjor, këta profesorë kanë anuluar testimin me shkrim për kandidatët dhe kanë vendosur t’i ritestojnë përsëri të njëjtët kandidatë.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se kandidatët kanë pasur shpërputhje në testimin me shkrim në atë me gojë.

Madje, në Konkurs, askund nuk i jepet mundësia Komisionit të merr një vendim të tillë pasi intervista nuk ka paraparë fare pike ndërsa provimi pranues ishte 60 për qind.

Mirëpo, në Konkursin e studimeve doktorale, intervista me gojë s’është vlerësuar fare me pikë. Ishte vetëm çështje procedurale.

“Komisioni Qendror pas intervistimit të kandidatëve të Katedrës Penalo-Juridike erdhi në përfundim se ekziston mospërputhje e madhe në mes testit të shkruar dhe përgjigjes së kandidatëve në pyetjet profesionale gjatë intervistimit verbal. Ritestimi i kandidatëve bëhet të mërkurën, 05.10.2016, në ora 10:00”, shkruan në vendimin e Fakultetit Juridik.

Zyrtarët e Rektoratit nuk kanë dashur të komentojnë këtë rast duke thënë se ende nuk janë të njoftuar lidhur me këtë vendim.