Jep dorëheqje deputetja e VV-së: Kjo qasje e drejtimit, ka rezultuar në pakënaqësi dhe mungesë transparence brenda organizatës

E publikuar: 30/09/2024 17:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje – Dega Drenas, Flota Bujupi ka dhënë dorëheqje nga anëtarësia e këtij subjekti politik.

Përmes një postimi në Facebook, Bujupi ka thënë se ka marrë këtë vendim pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe shqetësimi të vazhdueshëm lidhur me mënyrën e udhëheqjes së Qendrës së Vetëvendosjes në Drenas nga kryetarja aktuale.

“Pavarësisht angazhimit tim të sinqertë dhe dëshirës për të kontribuar në arritjen e qëllimeve të përbashkëta, kam hasur në një mospërputhje të thellë vlerash dhe qëndrimesh me drejtimin e dhënë nga udhëheqja e tanishme”, ka thënë Bujupi.

Po ashtu ajo shtoi se “kjo qasje e drejtimit, e cila ka rezultuar në një klimë të pakënaqësisë dhe mungesë transparence brenda organizatës, ka ndikuar drejtpërdrejt në efektivitetin e punës sonë dhe në bashkëpunimin e brendshëm”.

“Për këtë arsye, nuk e shoh të arsyeshme të vazhdoj të jem pjesë e një strukture që nuk përfaqëson më parimet për të cilat kam luftuar dhe jam angazhuar”, shtoi ajo.