“Jemi policia” – Grabitësit me kallashnikov mashtruan të moshuarit në Tiranë

E publikuar: 09/12/2023 21:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tre persona kanë tentuar të grabisin me armë një shtëpi në fshatin Prush të Tiranës mbrëmjen e së shtunës.

Policia ka mbërritur në vendngjarjen e lajmëruar nga banorë të zonës dhe ka hasur në sulm me armë nga ana e grabitësve, të cilëve u është përgjigjur me armë.

Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se grabitësit sapo kanë hyrë në banesë, ku jetonin dy të moshuar u kanë thënë të hapnin derën pasi “ishin policia”.

Fqinjët kanë dëgjuar britmat dhe kanë lajmëruar policinë. Mësohet se grabitësit ishin të armatosur me armë tip Kallashnikov.

Policia është vënë në kërkim të një mjeti Audi, ngjyrë e bardhë me targa AA943SG, nga ku është qëlluar me armë në zonën e Prushit.

Gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra raporton se fillimisht autorët kanë tentuar të vjedhin një automjet.

Në momentin që kanë dëgjuar fenelinat e policisë që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë vrapuar dhe kanë hipur në makinë.

Një prej oficerëve të policisë, i cili e njihte mirë zonën ka hapur derën e makinës së autorëve dhe ka tentuar të nxjerrë jashtë drejtuesin e mjetit.

Ky i fundit, e ka shtyrë dhe polici është rrëzuar dhe makina e autorëve është larguar. Polici nuk ka pësuar lëndime.