I ngarkuari i BE-Së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak të martën do ta vizitojë Kosovën.
Lajçak do të takohet me kryeministri Avdullah Hotin ku do të prezantohet edhe plani për qasjen ne dialogë.
Nuk dihet nëse Lajçak do të takohet edhe me presidentin e shëtiti, Hashim Thaçin.
Kjo është vizita e parë e Lajçakut që prej emërimit të tij si emisar i BE-së për dialogun, ndërkohë që në Kosovë u ndërruan dy qeveri.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se për shkak të mungesës së qartësisë rreth këtij procesi brenda Kosovës, por edhe rolit të padefinuar ndërmjetësues mes SHBA-së dhe BE-së, e bënë vështirë të parashikueshëm rrjedhën e tij.
“Ende është e paqartë se çfarë dinamike do të ketë procesi i ndërmjetësuar nga ana e BE-së, duke konsideruar që brenda spektrit politik kosovar ka një qëndrim të ndarë rreth pritshmërive nga ndërmjetësimi i BE-së. Nga ana tjetër, kemi një proces tjetër të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, prandaj është më se e nevojshme që të ketë qartësim të rolit të BE-së dhe SHBA-së siç duhet, të ketë qartësim të pozicionit kosovar dhe pritshmërive nga procesi i dialogut në përgjithësi”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq, Donika Emini nga “Civikos”, aktivizimin e Lajçakut e sheh si përpjekje të Bashkimit Evropian për ta rimarrë primatin në dialog, kohën kur është kërkuar që udhëheqja e këtij procesi t’u besohet Shteteve të Bashkuara.
“Kjo vizitë është një tentativë e Bashkimit Evropian për t’u bërë palë e një procesi të cilin ata e kanë pasur në pronësi, por e kanë lëshuar nga dora. Këto vizita të Joseph Borrellit më herët dhe të Lajçakut tani, janë tentativë po t’ia përcaktuar kursin procesit të ardhshëm të dialogut Kosovë-Serbi. Tani kemi edhe një përfshirje të ShBA-së, në përpjekje për t’i çuar palët drejt një marrëveshjeje, por sigurisht se është gjë pozitive përfshirja e Bashkimit Evropian”, ka theksuar Emini.