Lajmet

Ish-diplomati Bosch: Ne e detyruam Thaçin t’ia vendoste vetes lakun në fyt, ndihem shumë keq

21.09.2026 15:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Ish-diplomati Bosch: Ne e detyruam Thaçin t’ia vendoste vetes lakun në fyt, ndihem shumë keq

Ish-diplomati Robert Bosh, i cili ishte ambasador i Holandës në Kosovë në kohën e formimit të Gjykatës Speciale, është treguar shumë i ashpër me vendimin e kësaj gjykate ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai në një intervistë për Radio Dukagjinin ka akuzuar Dhomat e Specializuara se po kërkojnë vetëm kënaqjen e serbëve, duke marrë gjithashtu përgjegjësinë që i takon në krijimin e kësaj gjykate.

Boschi ka thënë se institucionet e Kosovës u detyruan ta krijojnë këtë gjykatë, duke besuar në një drejtësi që nuk erdhi.

Intervista e plotë:

Zotëri ambasador, cili është reagimi juaj ndaj vendimit të Gjykatës Speciale kundër katër ish krerëve të UÇK-së?

Bosch: Nuk mund të them më shumë se jam tërësisht i shokuar, nuk e kam pritur këtë, pas të gjithë dëshmitarëve si Wesley Clark, James Rubin, Christopher Hill, gjithë këtyre njerëzve me profil të lartë që ishin aty, që thanë se nuk kishte strukturë në UÇK, prandaj Thaçi nuk mund të mbahet përgjegjës për atë që mund të bëjë dikush në terren. Nëse kjo injorohet tërësisht, nënkupton se diçka nuk është në rregull me gjyqtarët e prokurorët. Mendoj se është ekstremisht ofenduese. Nëse ju si një gjyqtar apo prokuror budalla, e them këtë me respekt, del kundër mendimit të këtyre njerëzve të nivelit të lartë, të cilët s’ke mundësi as t’i fusësh në kalendar, si guxoni ta bëni këtë. Jam shumë i merzitur sepse ata ose janë tërësisht budallenjë, ose janë të këqinj, dhe këtë e bëjnë me dashje për t’i kënaqur serbët. Kjo nuk është normale, është abnormale.

Jam gjithashtu i inatosur me përgjigjen e Bashkimit Evropian. Ata sigurisht nuk mund ta dënojnë këtë vendim, por të thonë se janë shumë të kënaqur me qasjen e drejtë dhe të balancuar të kësaj gjykate, totalisht e panevojshme të thuhet, pasi nuk ishte ashtu. Ishte e pabalancuar, dhe e padrejtë. Nuk e di çfarë të bëj. Sigurisht do të ketë apel, por kjo nënkupton se këta njerëz të gjorë do të duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në burg edhe më gjatë. Veçanërisht për Thaçin, por edhe për të tjerët, këta njerëz që nuk kanë bërë asgjë të gabuar, ata po tentonin ta çlironin vendin e tyre.

Nëse disa nga njerëzit e tyre kanë bërë diçka gabim, ata nuk janë përgjegjës për këtë. Unë isha vet i përfshirë në këtë çështje si ndërmjetësues mes Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes, dhe gjatë sesioneve informuese gjithmonë është thënë se UÇK janë “me çizme në tokë“, por komunikimi është i vështirë pasi nuk ka strukturë. Nëse kjo po thuhet nga të gjithë, nga të gjithë që ishin të përfshirë dhe nga të gjithë që kanë marrë mundimin për ta hulumtuar çështjen, e dijnë se kjo është e vërtetë. Si mundeni ju si gjykatës dhe prokurorë ta neglizhoni tërësisht këtë? Kjo është e vërteta. Siç e thashë, ka diçka tmerrësisht, tmerrësisht të gabuar me këtë vendim. Ndoshta ata po duan ta destabilizojnë vendin tuaj.

Çfarë prisni nga procesi i Apelit?

Bosch: Problemi sigurisht është se do të jenë përsëri njerëzit e njëjtë, andaj nuk pres shumë. Mendoj se pasi presidenti Trump ndërhyn në çdo çështje, duhet të ndërhyjë edhe këtu, sepse kjo ka shkuar shumë larg. Rama e ka provuar këtë më parë, shumë njerëz kanë thënë se kjo Gjykatë duhet të ndalet. E patë siç thuhej në fillim: Kjo është Gjykata e Kosovës. Ata nuk i ndjekin ligjet e Kosovës, nuk kanë njerëz të Kosovës, ka vetëm amerikanë në panelin e gjykatësve dhe prokurorëve, çfarë Kosove ka këtu? Duke shikuar prapa, ishte një vendim i gabuar, për të cilin edhe unë jam përgjegjës.

Unë i thashë Thaçit atëherë: Mos u brengos, do të jesh i lirë shumë shpejt, do të lirohesh në mungesë provash, dhe i shkreti i vendosi vetes lakun në fyt. Tani i thonë e bëre vet, vet e kërkove. Jo nuk e kanë kërkuar, janë detyruar ta bëjnë këtë nga njerëz si unë. Ndihem shumë keq për këtë, por ai ishte urdhri që unë morra nga Haga, dhe pasi isha ambasador, më duhej ta përmbushja. Jozyrtarisht e kam bërë të qartë se nuk pajtohesha. Kjo është një gjë e keqe për vendin, për drejtësinë në përgjithësi, dhe të vetmit që po festojnë me gëzim të madh janë njerëzit në Serbi, ku kriminelët e luftës janë në Qeveri apo në krye të ushtrisë duke qeshur. Ata duhej të ishin në burg më shumë se çdokush tjetër.

Çfarë ndikimi mendoni se vendimi i Dhomave të Specializuara mund të ketë për Kosovën?

Bosch: I shikova lajmet holandeze, dhe ato vetëm përsërisin atë që thotë gjykata dhe bëjnë gjoja se kjo është një gjykatë normale, dhe kjo është negative. Nëse besoni se ish presidenti dhe ish kryeministri Thaçi ishte përgjegjës për 63 vrasje, tortura e gjëra të tjera, kjo është shumë keq. Sigurisht kjo nuk është e vërtetë, por e jep një përshtypje të keqe dhe të padrejtë. Duhet të ketë marrëdhënie me publikun, rritje të imazhit publik, avokim për këtë kauzë. Dhe sigurisht, referojuni të gjithë këtyre njerëzve të nivelit të lartë që janë në mbështetje të tyre dhe kanë folur për pafajësinë e tyre. Është ofenduese pasi gjykata në një mënyrë i quajti gënjeshtarë, nuk u interesoi çfarë patën për të thënë dhe nuk iu besoi. Kjo është shumë e keqe

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Kurti: KRE-ja do të ruajë energjinë, investimi kap vlerën 236.7 milionë dollarë

Kurti: KRE-ja do të ruajë energjinë, investimi kap vlerën 236.7 milionë dollarë

Një muaj paraburgim për Gecin nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Mehmetaj

Një muaj paraburgim për Gecin nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Mehmetaj

Aleanca mblidhet të shtunën, Gjini shpalos platformën dhe strategjinë e këtij subjekti për zhvillimin e Kosovës

Aleanca mblidhet të shtunën, Gjini shpalos platformën dhe strategjinë e këtij subjekti për zhvillimin e Kosovës

AGK e sheh alarmuese vendimin e KPM-së për të licencuar Radio Policinë si radio shtetërore

AGK e sheh alarmuese vendimin e KPM-së për të licencuar Radio Policinë si radio shtetërore

Kurti e emëron Viktor Buzhalën zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Kurti e emëron Viktor Buzhalën zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme

Vergori: Optimizimi i KFOR-it nuk nënkupton tërheqje nga Kosova

Vergori: Optimizimi i KFOR-it nuk nënkupton tërheqje nga Kosova

Tahiri: Kuvendi duhet ta rishikojë ligjin për Dhomat e Specializuara, llogaridhënia është themel i demokracisë

Tahiri: Kuvendi duhet ta rishikojë ligjin për Dhomat e Specializuara, llogaridhënia është themel i demokracisë

Formohet grupi punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Formohet grupi punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Gazetari thotë se RTK e largoi nga puna për shkak të postimeve në Facebook

Gazetari thotë se RTK e largoi nga puna për shkak të postimeve në Facebook

Shiroka Pula: Synojmë anëtarësimin në NATO, KFOR-i të jetë mjet i drejtpërdrejtë sigurie

Shiroka Pula: Synojmë anëtarësimin në NATO, KFOR-i të jetë mjet i drejtpërdrejtë sigurie

Dosja e Prokurorisë: Zbulohen fjalët që Gani Geci ia tha Lirim Mehmetajt

Dosja e Prokurorisë: Zbulohen fjalët që Gani Geci ia tha Lirim Mehmetajt

Qeveria themelon grupin punues për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel, Konjufca në krye të tij

Qeveria themelon grupin punues për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel, Konjufca në krye të tij

Kërcënoi një qytetar me armë dhe rezistoi ndaj policisë, arrestohet personi i dyshuar në Fushë Kosovë

Kërcënoi një qytetar me armë dhe rezistoi ndaj policisë, arrestohet personi i dyshuar në Fushë Kosovë

Senatori amerikan: Kosova propozoi marrëveshje financiare për ta bërë Bondsteelin bazë të përhershme të SHBA-së

Senatori amerikan: Kosova propozoi marrëveshje financiare për ta bërë Bondsteelin bazë të përhershme të SHBA-së

Gjilani mposht bindshëm Drenicën, fiton pas tri vitesh në shtëpi ndaj këtij kundërshtari

Gjilani mposht bindshëm Drenicën, fiton pas tri vitesh në shtëpi ndaj këtij kundërshtari

Shqipëria mbyll kapitullin e 4-t të negociatave me BE-në, Rama: Le ta tundim këtë shtëpi, ta bëjmë realitet

Shqipëria mbyll kapitullin e 4-t të negociatave me BE-në, Rama: Le ta tundim këtë shtëpi, ta bëjmë realitet