Inspektorati Policor thotë se do të verifikojë pretendimet e një qytetari në veri për keqtrajtim nga policia

E publikuar: 26/10/2024 16:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) do të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me një incident në sheshin “Car Llazar”.

Inspektorati Policor sipas detyrës zyrtare (ex officio) ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit preliminar lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga policia e të cilat pretendime që janë bërë publike sot në medie të ndryshme dhe ka pasur një reagim nga shoqëria civile në Mitrovicën e Veriut .

Sipas raporteve zyrtare incidenti raportohet të ketë ndodhur sot pas mesnatës (pas orës 3) kur policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor një qytetar me inicialet M.S me dyshimin se i njëjti ka dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të zyrtarëve policorë.

Pas shqiptimit të një tikete për kundërvajtje (sipas Ligjit për rendin dhe qetësinё publike) i njëjti është liruar.

Hetuesit e IPK-së përmes një hetimi preliminar do të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim të të njëjtit nga policia gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore në këtë incident.