Inspektorati Policor i Kosovës informoi qytetarët e Gjakovës për rolin, misionin dhe fushë veprimtarinë e IPK-së

E publikuar: 29/10/2019 16:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) përmes Divizionit për bashkëpunim dhe informim ka realizuar sot një takim me qytetarët e Gjakovës duke prezantuar para tyre rolin, misionin dhe fushë-veprimtarinë e IPK-së.

Ky aktivitet me temën “Inspektorati Policor i Kosovës, roli dhe rëndësia në sundimin e ligjit në Kosovë”, është realizuar në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Gjakovës, me përkrahjen e ICITAP-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme respektivisht Divizionit për siguri publike.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet që u mbajt në sallën e Komunës përveç qytetarëve të Gjakovës dhe anëtarëve të forumeve të sigurisë ishin edhe Kryetari i komunës së Gjakovës z. Ardian Gjini i cili vlerësoi punën e policisë në fushën e sigurisë publike si dhe punën e IPK-së në fushën e mbikëqyrjes policore.

Gjatë diskutimeve të përbashkëta u potencua se një polici e shëndoshë dhe korrekte mund të jetë vetëm me qytetari aktive, me qytetarë që nuk hezitojnë të lajmërojnë në IPK keqpërdorimet eventuale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Zyrtarët e IPK-së gjatë këtij takimi dhanë informacione për fushëveprimin e IPK-së (rolin dhe autorizimet), për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK, inspektimet dhe rolin i tyre në ngritjen e profesionalizmit të policisë dhe rëndësinë e integritetit policor etj.

Vlen të theksohet se ky aktivitet është përcjellë me interesim nga qytetarët ku edhe janë parashtruar pyetje të cilave u kanë dhënë përgjigje zyrtarët e IPK-së./Infosot/