Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se mosmiratimi i Ligjit për Pagat në Sektorin publik nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës brenda afatit të përcaktuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, paraqet shkelje të këtij aktgjykimi, shpërfillje të Kushtetueses, shkelje të Kushtetutës dhe cenim të të drejtave në shtesë të pagës sipas përvojës së punës të dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë në Kosovë.
Sipas IKD-së kjo gjithashtu krijon një praktikë e dëmshme për promovimin e demokracisë.
“Me vendimin e datës 23 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese (GJK) vendosi që të shpallë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës disa dispozita të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, dhe të njëjtat i shpalli të pavlefshme. Për disa të tjera, përveç që i shpalli në kundërshtim me Kushtetutën, kjo gjykatë urdhëroi Kuvendin e Kosovës që për të njëjtat të nisë ndryshimet ligjore të nevojshme e të domosdoshme në mënyrë që të korrigjohen dispozitat e papërshtatshme brenda një afati prej gjashtë muajve prej se kur Aktgjykimi në rastin numër KO79/23 hyri në fuqi më 1 shkurt 2024”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
Por sipas IKD-së as Qeveria e As Kuvendi nuk kanë ndërmarrë hapa për të përmbushur detyrimet e vendosura nga Kushtetuesja.
“Megjithatë, përkundër dijenisë së Qeverisë dhe Kuvendit, e për më tepër që një aktgjykim i tillë iu dorëzohet të dy institucioneve dhe publikohet në faqen zyrtare të GJK-së, është shqetësuese dhe e papranueshme që prej kalimit të më shumë së gjashtë muaj e 13 ditë që nga shpallja e këtij aktgjykimi, asnjë nga institucionet e lartcekura nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmbushur detyrimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese. Në vend që të vepronin për t’i adresuar problemet e evidentuara dhe për të përfshirë Projektligjin për Pagat në Programin Legjislativ për vitin 2024, institucionet e Kosovës, kanë shpërfillur kërkesat e GJK-së”, thuhet në komunikatë.
IKD-ja konsideron se kjo neglizhencë nuk është thjeshtë një mangësi administrative, por mosveprimi i tillë përbën një shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç sipas tyre ndodhi në vitin 2023 me vonesat në miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Skemat Pensionale dhe me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
“IKD, i rikujton Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, se përgjatë shtatë muajve të këtij viti, mosinicimi i këtij projektligji dhe mos hyrja në fuqi brenda afatit të përcaktuar nga GjK, ka pasur dhe vazhdon të ketë pasoja të rënda për të drejtën e pagesës për dhjetëra mijëra shërbyes civilë në Kosovë. Këta punëtorë, të cilët kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në funksionimin e institucioneve dhe shërbimeve publike, janë të privuar nga shtesa në bazë të përvojës së punës, e cila para hyrjes në fuqi të ligjit për pagat, pasqyronte përvojën e tyre dhe angazhimin profesional. Një situatë e tillë, jo vetëm që cenon integritetin dhe sigurinë e sistemit të pagave në sektorin publik, por gjithashtu minon besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit dhe në aftësinë e tyre për ta zbatuar dhe respektuar ligjin”, thuhet në komunikatë.
Sipas IKD-së mosinicimi deri në ketë moment i këtij ligji ka po ashtu ndikim të thellë dhe të gjerë në jetën sociale dhe ekonomike të shërbyesve civilë, pasi thuhet se vendosja e kritereve të reja jokushtetuese te shtesat mbi përvojën, ka renduar jetesën e tyre. “Mosinicimi i ligjit ka pasoja të drejtpërdrejta në mirëqenien dhe stabilitetin social të mijëra familjeve që mbështeten në këto paga për të siguruar nevojat e përditshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve të tyre”, thuhet në komunikatë.
IKD-ja kë kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, që në afat sa më të shpejtë dhe me urgjencë të nisin procedurat për ndryshimet e kërkuara nga Kushtetuesja, të përfshijnë të gjitha palët e interesit, në veçanti Sindikatën e Shërbyesve Civilë, shoqërinë civile dhe akterët e tjerë të interesuar “në mënyrë që ligji i ardhshëm të jetë në pajtim me kërkesat e precizuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Sipas tyre vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që të drejtat e shërbyesve civilë do të mbrohen dhe të garantohen një sistem i drejtë dhe transparent i pagave.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe individët në Republikën e Kosovës, pasi ato përfaqësojnë interpretimin përfundimtar kushtetutës. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një shkelje të rëndë të aktit më të lartë juridik të vendit, duke krijuar një praktikë të rrezikshme. Një sjellje e tillë rrezikon të krijojë një precedent negativ që dobëson rendin kushtetues dhe stabilitetin e përgjithshëm të funksionimit të shtetit ligjor”, thuhet në komunikatë.
Sipas IKD-së vendim i Kushtetuese ishte një hap i rëndësishëm në mënyrë që reforma e nevojshme në sektorin publik, të përcillet me siguri për punonjësit në mënyrë që ata të kompensohen drejtë për përvojën dhe angazhimin e tyre profesional. “Gjykata rrëzoi dispozitën ku dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë iu përgjysmua e drejta e shtesës së përvojës së punës, nga zero pikë pesë për qind (0.5%) në zero pikë njëzetë e pesë për qind (0.25%) në vit, duke e përgjysmuar shtesën e përvojës së punës për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para, rrjedhimisht lartësinë e pagës për të gjitha kategoritë e funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve që hyjnë në fushëveprimin e ligjit të kontestuar, përkatësisht duke përcaktuar shtesë të përvojës dyfish më të ulët në krahasim me legjislacionin paraprak sa i përket pesëmbëdhjetë (15) viteve të para.