Idyshuari për vrasjen e 26 vjeçarit në Mitrovicë është vëllai i personit që e ka vrarë një student me kallashnikov para 5 viteve

E publikuar: 30/10/2021 12:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy persona janë në kërkim nga Policia e Kosovës si të dyshuar për vrasjen e 26-vjeçarit me inicialet A.M., mbrëmë në Mitrovicë.

Avni Zahiti zëdhënës i Policisë së Kosovës ka thënë për Gazetën Online “Reporteri.net”, se ata janë vënë në kërkim nga policia dhe nuk janë kapur ende.Reporteri.net nga burime brenda Policisë së Kosovës mëson se njëri nga të dyshuarit për vrasjen e të riut është L.B., vëllai i V.B., i arrestuar për vrasjen e një studenti në afërsi të gjimnazit “Frank Bardhi”, në Mitrovicë, në vitin 2016.

L.B. dhe shoku i tij janë vënë në kërkim të Policisë së Kosovës për shkak se të njëjtit dyshohet se mbrëmë pas mesnatës, pas një mosmarrëveshje e kanë sulmuar me thikë viktimën A.M., 26 vjeçar, i cili si pasojë e plagëve të marra ka vdekur.Burimet i kanë thënë Reporteri.net se i dyshuri L.B., ka dosje kriminale në Policinë e Kosovës dhe se mbi të rëndojnë disa akuza për vepra penale, teksa shoqëruesi i tij ka dosje të pastër në polici.

Policia në njoftimin e saj ka bërë të ditur se viktima mashkull kosovar dyshohet se, pas një zënke- mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht me një mjet të mprehtë (thikë) nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë.

Policia thotë se po e heton rastin e vrasjes së të riut nga Mitrovica.