I sanksionuari nga ShBA, Nexhat Krasniqi: KURRË s’jam dënuar për korrupsion

E publikuar: 18/11/2023 22:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Nexhat Krasniqi, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë vendosur në listën e zezë të sanksioneve së fundmi u caktua në pozitën e Drejtorit të Departamentit të infrastrukturës rrugore në këtë Ministri.

Krasniqi ka reaguar në rrjetin e tij social Facebook, duke thënë se “KURRË KURRË KURRË nuk jam dënuar për korrupsion ose marrje ryshfeti”.

Dhe sipas tij kjo “është fakt, e për të cilin mundeni me verifiku në krejt institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës edhe ato ndërkombëtare”.

“Unë edhe mund të jem i papërshtatshëm për Amerikën për të cilën gëzoj shumë respekt. Unë nuk e di arsyen për shkak se rasti është i vitit 2005, e që është rast i gjykuar. Çuditërisht unë kam nënshkruar kontrata me kompaninë prestigjioze amerikane Bechtel në vitin 2010 dhe 2014 për dy autostrada, duke pasur relacione shumë korrekte dhe profesionale me ta”, ka shtuar ai.

“Ndoshta në media e nga pseudo-gazetar të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti. Ndoshta nga politikanë të ndryshëm jam dënu për korrupsion edhe për marrje ryshfeti”, ka theksuar ai.

Më tej ai ka thënë se është gjykuar nga sistemi i Drejtësisë së Kosovës por dhe nga EULEX, por ai nuk është dënuar asnjë herë.

“Në Republikën e Kosovës, ku jetoj e punoj prej kur kam lind, KURRË në jetë nuk jam dënuar për korrupsion e as për marrje ryshfeti…. Jam hetuar, jam vëzhguar e jam akuzuar nga prokuror Amerikan, nga prokuror ndërkombëtar të Eulexit, nga prokuror Shqiptar të të gjitha prokurorive… Jam gjykuar e ri-gjykuar nga gjykatës Amerikan, nga gjykatës ndërkombëtar te Eulexit, nga gjykatës Shqiptarë të të gjitha gjykatave”.

“Sa i përket rastit te vitit 2005 për të cilin po thuhet se paskam keqpërdorur pozitën time publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e Ndërtimit të Parkut Industrial në Komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni, që të kuptohet saktë nga të gjithë po e publikoj Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Eulexit për këtë rast”, ka shtuar ai.

Ndërkohë Krasniqi ka reaguar ndaj gazetarëve duke thënë se le të shkruajnë çfarë të duan për të pasi sipas tij shkrimet e gazetarëve janë pa faktet

“Kurrë mos u ndalni duke folur e duke shkruar zi e terr për mua, natyrisht pa asnjë fakt, veç mundohuni të paktën nganjëherë t’a bëni punën e gazetarit me etikë e profesionalizëm”, ka përfunduar Krasniqi.