Enver Hasani, Haki Demolli, Arsim Bajrami dhe Hajredin Kuçi janë katër profesorët e Universitetit të Prishtinës që janë ankuar kundër vendimit të Rektoratit që i heq nga lista e pagave si profesorë të rregullt. Gazeta Jeta në Kosovë ka monitoruar vijueshmërinë në ligjërata të katër profesorëve që mbajnë pozita të rëndësishme publike. Hasani e Demolli nuk po gjejnë kohë që të mbajnë ligjëratat, ndërsa Bajrami po i mban ato duke e lënë anash punën e tij si ministër i Arsimit. Ndërsa ministri Hajredin Kuçi është i rregullt në Fakultetin Juridik, por nuk i mban ligjëratat në Fakultetin Filozofik.
Vendimi i Rektoratit të Universitetit të Prishtinës për t’i larguar nga paga e rregullt të gjithë ata profesorë që krahas angazhimit të tyre në këtë institucion, janë të angazhuar edhe në institucione tjera, i ka indinjuar katër njerëz që mbajnë pozita të rëndësishme politike e shoqërore.
Vendimi i rektorit Ramadan Zejnullahu, profesorët që janë të angazhuar tjetërkund pos UP-së, tashmë i konsideron vetëm si bashkëpunëtorë të jashtëm të këtij institucioni arsimor.
Profesorët Arsim Bajrami, Haki Demolli, Hajredin Kuçi dhe Enver Hasani që janë të angazhuar në poste publike, janë bashkuar kundër vendimit të rektorit Zejnullahu.
Më 1 dhjetor 2014 ata dorëzuan ankesë te Bajram Uka, dekan i Fakultetit Juridik.
Dhjetë ditë më vonë Uka e procedoi këtë ankesë në Rektoratin e UP-së.
Katërshja e profesorëve me fuqi politike e publike, e konsiderojnë si të padrejtë vendimin e rektorit Zejnullahu.
Në ankesën e përbashkët, këta profesorë kanë deklaruar se “çdo ndryshim i njëanshëm i kontratës së punës, apo statusit të të punësuarit, bie ndesh me Ligjin e Punës, Kontratën e Punës dhe vendimin e Senatit për zgjedhje në thirrje profesor i rregullt”.
Ndërkohë përveç ankesës së tyre të dorëzuar në rektorat shumë prej profesorëve të prekur nga ky vendim janë ankuar edhe në Inspektoratin e Punës që operon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Më 16 janar të këtij viti Inspektorati vendosi që rektorati duhet të kthejë në listën e pagave 69 mësimdhënës dhe asistentë të cilët kanë marrëdhënie primare pune jashtë Universitetit të Prishtinës.
I pakënaqur me këtë vendim, Rektorati i UP-së është ankuar në shkallën e dytë të inspektoratit-Trupën Ekzekutive të Inspektoratit të Punës.
Kjo trupë mori vendim më 20 shkurt të këtij viti.
Edhe kjo trupë vendosi që duhet të futen në listën e pagave të UP-së mësimdhënësit që kanë punë primare jashtë UP-së.
Por sa janë të rregullt në ligjërata në UP profesorët politikanë që nuk e kanë punë primare Universitetin e Prishtinës.
Gazeta Jeta në Kosovë, në bazë të orarit zyrtar të ligjëratave të katër profesorëve të lartpërmendur, ka monitoruar se a po i mbajnë këta katër profesorë ligjëratat e tyre.
Megjithë faktin se këta katër profesorë po e konsiderojnë si të padrejtë vendimin e rektorit Zejnullahu kundrejt tyre, disa nga ta as që po marrin mundin të vijnë në ligjëratat e tyre, pavarësisht se po kërkojnë të konsiderohen si profesorë të rregullt të UP-së dhe të paguhen rregullisht nga ky institucion.
Kryetari i Kushtetueses nuk mban ligjëratat
Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka gjetur kohë për t’u ankuar për vendimin e rektorit Zejnullahu mirëpo të njëjtën kohë ai nuk po e gjen për të ardhur në ligjërata.
Në nivelin master në Fakultetin Juridik-Drejtimi Ndërkombëtar ligjërata “Teoria e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” të cilën e ligjërojnë Hasani bashkë me prof. Qerim Qerimin, mbahet çdo të enjte nga ora 16:18.
Më 18 dhjetor, as Hasani e as Qerimi nuk janë parë prezentë.
Në katin e katërt të këtij fakulteti ku edhe mbahet kjo ligjëratë, më 18 dhjetor Hasani nuk ka qenë i pranishëm.
Ekipi i Gazetës Jeta në Kosovë ka kontrolluar edhe në sallat e tjera në katet e mëposhtme të Fakultetit Juridik, mirëpo nuk ka hasur në Enver Hasanin.
Gazeta Jeta në Kosovë vazhdimisht ka kontaktuar Hasanin në telefon dhe i ka dërguar mesazhe për të pyetur pse nuk ka qenë prezent në këtë ligjëratë, mirëpo ai nuk është përgjigjur asnjëherë.
Avazin e njëjtë ai e ka vazhduar edhe në ligjëratat tjera. Më datë 6 janar, në ligjëratën “E Drejta Ndërkombëtare Publike” për studentët e vitit të parë të nivelit master që në orar ishte e paralajmëruar nga ora 10:00 deri në 12:00, u mbajt në ora 13:00 nga asistenti Besfort Rrecaj.
Studentët e profesorit Enver Hasani duket se kanë nisur të ia “harrojnë” fytyrën, ngaqë siç janë shprehur, ai asnjëherë nuk vjen për të dhënë mësim.
Koha e provimeve ka bërë që studentët të mos pranojnë të prononcohen lidhur me profesorët e tyre.
Vetëm në kushte anonimiteti, disa studentë të vitit të parë të masterit kanë dhënë detaje për mospjesëmarrjen e Enver Hasanit në ligjërata.
“Tash ai(Enver Hasani) nuk ka kohë me na msu neve. Tash i mbajmë gjithë me Besfortin. Qe 4 vjet,veç një herë e kam pa Enverin”, thotë një studente e këtij viti.
Edhe një tjetër student (emër i njohur për redaksinë) gjithashtu thotë se Hasani nuk ka qenë asnjëherë në ligjëratë.
Hasani që nuk është se ka kohë të mbajë ligjëratën në Universitetin e Prishtinës ka disa vende të punës. Të ardhurat e tij vjetore kalojnë shumën prej 65 mijë eurosh.
Enver Hasani në deklarimin e pasurisë të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion në mars të vitit 2014 ka shënuar se merr 42 mijë e 770 euro në vit nga puna si kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Përveç pagës së madhe në Kushtetuese Hasani del se ka edhe angazhime tjera që paguhen mirë.
Ai ka shënuar se merr një honorar prej 12 mijë e 750 euro në vit nga organizata gjermane GIZ dhe 10 mijë e 500 euro tjera nga kolegji Dardania.
Ndërkaq përpos të ardhurave prej mbi 65 mijë euro në vit, ai ka shënuar se po ashtu merr edhe 7 mijë e 908 euro nga Universiteti i Prishtinës.
Por këtë shumë prej mbi 7 mijë eurosh në vit nuk do të mund ta marrë Hasani si bashkëpunëtor i jashtëm i UP-së.
“Profesorëve të përmendur (Hasani, Demolli, Bajrami dhe Kuçi) u është ndërruar mënyra e pagesës, pra ata kanë kaluar në mënyrën e pagesës në bazë të orëve të realizuara. Një orë paguhet 25 euro”, thotë Durim Berisha, zëdhënës i Universitetit të Prishtinës.
Ndërrojnë sallat, ankohen studentët
B.G (emri i njohur për redaksinë), student i semestrit të parë, Drejtimi Ndërkombëtar kishte ardhur të martën më 13 janar në ligjëratën “E Drejta Ndërkombëtare Publike” të Enver Hasanit, e cila është dashur të mbahej në orën 13:00 në sallën e profesorëve.
Mirëpo, ai kurrsesi nuk po e gjente as profesorin Hasani, e as Besfort Rrecajn. Ai kontrolloi të gjitha sallat e mundshme ku zakonisht mbahet kjo ligjëratë, mirëpo në asnjërën ajo nuk po mbahej.
Ai madje shkoi edhe në Dekanat për t’u informuar, por nuk po merrte përgjigje.
B.G tha për Gazetën Jeta në Kosovë se profesori nuk ka caktuar asnjë sallë, ndërkaq tregon se këtë ligjëratë e mban zakonisht Besfort Rrecaj.
Ai ankohet se shpesh ua ndërrojnë sallat, pa u treguar se ku do të mbahet ligjërata.
“Shkojmë te referentat në Dekanat, na thonë shkoni pyetni te referenti poshtë, ndërkaq ai tjetri thotë që nuk e di se ku po mbahet. Shkojmë edhe në drejtimin master ku është për mu informu. As aty nuk na japin informata të sakta, e na shëtisim lartë e poshtë, në katin e parë, dytin e tretin e nuk i gjejmë. Vijmë në sallën e profesorëve ku nganjëherë mbahet ligjërata, e as aty nuk e gjejmë”, thotë ai.
Për të gjetur përgjigje, ky student kontaktoi asistentin Besfort Rrecajn në telefon për të pyetur pse s’po mbahet ligjërata. Ky i fundit i tha që është “jashtë shtetit”.
I kontaktuar edhe nga Gazeta Jeta në Kosovë më 16 janar, Besfort Rrecaj e ka konfirmuar se ligjërata atë ditë, 13 janar nuk është mbajtur, ngase gjendet në Turqi për arsye shëndetësore.
“Jam në Turqi në Stamboll për arsye shëndetësore, për këtë e kam shtyrë ligjëratën për javën e ardhshme”, tha ai.
I pyetur se pse profesori Enver Hasani nuk e ka mbajtur këtë ligjëratë, ai nuk ka dashur të japë koment.
“Të lutem mos më kontakto sepse jam jashtë vendit,” deklaroi Rrecaj.
E kur Besfort Rrecaj nuk e mban ligjëratën, ajo ligjëratë anulohet ose zëvendësohet një ditë tjetër.
Marrëveshja e Demollit për mosmbajtje të ligjëratave
Ngjashëm si Hasani po vepron edhe Haki Demolli, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Demolli nuk po gjen kohë për të ligjëruar në UP, por në të njëjtën kohë ai po insiston se Rektorati i UP-së i ka “hyrë në hak” duke e hequr nga lista e profesorëve të rregullt.
Të hënën e 22 dhjetorit në ligjëratën “Politika Kriminale” e paralajmëruar për orën 9:00, Demolli nuk ka qenë i pranishëm as në ligjëratë, e as në fakultet.
Këtë ligjëratë e ka mbajtur ligjëruesi Xhevdet Halili.
Në përgjigjen rreth mosprezencës së tij në ligjëratën e 22 dhjetorit, Demolli ka thënë se Halili së bashku me të, janë bartës të lëndës dhe ligjëratën kanë të drejtë ta mbajnë me marrëveshje.
“Nga këshilli i fakultetit për këtë vit akademik si bartës të lëndës jemi caktuar unë dhe dr. sc. Xhevdet Halili. Sot ligjëratën në lëndën politika kriminale sipas marrëveshjes e ka mbajtur kolegu Halili”, tha ai.
Demolli tha se mbajtja e ligjëratës nga kolegu Halili nuk ka fare të bëjë me ankesën lidhur me vendimin e rektorit.
Por, nuk është vetëm kjo ligjëratë të cilën Demolli ka dështuar ta mbajë. Gazeta Jeta në Kosovë ka përcjellë edhe disa ligjërata të tij, por ai sërish ka munguar.
Të hënën e 12 janarit, Haki Demolli, sipas orarit zyrtar ka pasur dy ligjërata, “Politika Kriminale“ dhe “Taktika Kriminale”.
Në ligjëratën “Politika Kriminale” për vitin e dytë akademik që sipas orarit zyrtar mbahet nga ora 09:00 deri 12:00, në sallën S1. Ligjëratën e ka mbajtur Xhevdet Halili.
Në të njëjtën ditë, në ligjëratën “Taktika Kriminalistike”,viti i tretë akademik, studentët ligjëratën e kanë mbajtur në sallën D4 nga ora nga ora 15:00. Në këtë ditë, studentët kanë pasur kollokfium i cili është mbajtur, jo nga Demolli por nga Xhevdet Halili.
Studentët kanë thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se prejse Demolli ka ardhur në krye të detyrës si ministër i FSK-së, ai nuk ka qenë i pranishëm në ligjëratë.
Një gjë të tillë e thotë studentja Sevdije Zeka.
“Demolli asnjëherë nuk ka qenë i pranishëm në ligjërata që prej marrjes së detyrës së ministrit”, thotë ajo.
Të njëjtën gjë e kanë thënë edhe dy studentë tjerë në kushte anonimiteti.
Gazeta Jeta në Kosovë ka pyetur studentët në sallë se kur ka qenë hera e fundit që ata kanë mbajtur ligjëratën me Demollin.
Dy studentë, të cilët nuk kanë dashur të prononcohen me emër, kanë thënë se në kohën sa Demolli ka qenë deputet, ka ardhur rregullisht në ligjëratë, ndërkaq qëkur është zgjedhur ministër, ai nuk ka mbajtur asnjë ligjëratë.
Xhevdet Halili, ligjërues në lëndët, “Taktika Kriminale” dhe “Politika Kriminale” në përgjigjen për Gazetën Jeta në Kosovë ka thënë se arsyeja e mosmbajtjes se ligjëratave nga Demolli në datat e sipërshënuara, është për shkak të obligimeve të tij si ministër i FSK-së.
Halili tha se në pamundësi të ndërrimit të orarit për shkak që semestri ishte gati në përfundim, ai është dashur që të mbajë ligjëratën në vend të Demollit, për të mos shkaktuar probleme për studentët.
“Profesori është ngarkuar me detyrë të ministrit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa orari i mbajtjes së ligjëratave ka qenë i përcaktuar paraprakisht dhe në pamundësi të ndryshimit të orarit, ndryshimi i cili do të shkaktonte probleme për studentët, sepse pothuajse ishte në përfundim semestri në fjalë”, ka thënë Halili, i cili është marrë vesh me Demollin që në semestrin e parë t’i mbajë ligjëratat në vend të tij.
Ndërkohë, sipas tij, Demolli do të mbajë ligjëratat në semestrin e dytë.
Demolli nga puna e tij si ministër i FSK-së, e cila po ia pamundëson mbajtjen e ligjëratave, merr 13 mijë e 301 euro në vit.
Por këto para nuk janë të vetmet që Demolli merr gjatë një viti.
Demolli, bazuar në deklarimin e pasurisë së tij bërë në mars të vitit 2014 në cilësinë e deputetit, merr edhe 1 mijë euro honorar në muaj nga kolegji “Dardania”, në Prishtinë.
Këtë shumë nga ky kolegj ai e merr përgjatë nëntë muajve të një viti kalendarik.
Ai po ashtu në formularin e deklarimit të pasurisë ka shënuar se merr edhe 500 euro tjera si profesor i rregullt i Universitetit të Prishtinës.
Mst: Mungon në Ministri për të Ligjëruar në UP
Derisa Demolli e Hasani nuk gjejnë kohë për të ligjëruar në UP, është Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, i cili ka një problem tjetër.
Bajrami i është bashkuar ankesës së tre kolegëve të tij për të kundërshtuar vendimin e rektorit. Mirëpo ajo çka Bajrami nuk po mundet të bëjë, është që t’i mbajë të dy ndërrimet në të njëjtën kohë, në Ministrinë e Arsimit si ministër dhe në Fakultetin Juridik si profesor.
Arsim Bajrami ka qenë në ligjëratën “E drejta Kushtetuese” të hënën më datën 12 janar, duke nisur nga ora 09:00 në Amfiteatrin e Vogël në Fakultetin Juridik.
Ani pse ministri Bajrami në atë kohë është dashur që të jetë në Ministri të Arsimit në orarin e tij të punës, ai këtë kohë e ka shfrytëzuar për të ligjëruar në Fakultetin Juridik.
Gazeta Jeta në Kosovë, në orën 9:20 të asaj date ka qenë në Ministrinë e Arsimit ku në recepsion të ministrisë ka pyetur se a gjendet ministri aty.
Në recepsion e kanë konfirmuar se ministri Bajrami gjatë asaj kohe nuk gjendej në ministri.
Ai në këtë kohë mbante ligjëratën e tij në Fakultetin Juridik.
Edhe Arsim Bajrami ngjashëm si Hasani e Demolli është prej politikanëve që ka shumë vende pune dhe merr para të mëdha brenda një viti.
Ai në deklarimin e pasurisë bërë në mars të vitit të kaluar ka shënuar se merr 18 mijë euro në vit si deputet i Kuvendit të Kosovës, 5 mijë e 400 euro në vit nga Universiteti i Prishtinës, 7 mijë euro në vit nga kolegji privat AAB dhe 10 mijë e 800 euro në vit i merr si honorar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ndërkaq tash Bajrami nuk e merr pagën e deputetit, por paguhet si ministër i Arsimit.
Paga e tij është 1 mijë e 80 euro në muaj apo 12 mijë e 960 euro.
Kuçi i mban ligjëratat në juridik por jo edhe në shkenca politike
Gazeta Jeta në Kosovë ka monitoruar edhe ligjëratat e Kuçit në Fakultetin Juridik. Më 23 dhjetor Kuçi ka qenë i pranishëm në ligjëratën, “E Drejta Ndërkombëtare Private”.
Kurse me 6 janar, e martë, Kuçi nuk është parë në ligjëratën “E Drejta Ndërkombëtare Private”, që ka filluar nga ora 14:00. Në ligjëratë i pranishëm ka qenë asistenti, Flamur Mrasori.
Ligjërata ka qenë për studentët e vitit të tretë në Amfiteatrin e Vogël.
Gazeta Jeta në Kosovë ka pyetur studentët rreth ligjëratave tjera të Kuçit, e ata kanë thënë se janë të rralla rastet kur ai mungon në ligjërata.
“Hajredin Kuçi nuk ka munguar asnjëherë”, thotë një nga studentët.
Mirëpo, megjithëse Kuçi nuk mungon si profesor në Fakultetin Juridik, gjatë kohës sa ai ligjëron, zyra e tij në Ministrinë e Drejtësisë mbetet e zbrazur.
Emri i Kuçit figuron si profesor edhe në Departamentin për Shkenca Politike në Fakultetin Filozofik.
Kuçi, megjithëse të enjten më 18 dhjetor kishte ligjëratë në Fakultetin e Shkencave Politike, në programin master për Integrime Evropiane dhe Administratë Publike, ai me këtë datë nuk ka qenë i pranishëm në ligjëratë.
Në programin master, Kuçi është i shënuar si ligjërues në lëndën “Institucionet, Vendimmarrja dhe e Drejta e Unionit Evropian”, e cila në orarin zyrtar, të vendosur edhe brenda ambienteve të Fakultetit të Shkencave Politike, mbahet çdo të enjte nga ora 16:00-17:30.
Në vend të tij, në ligjëratë ka ardhur asistentja e lëndës, Jehona Lushaku.
Sipas studentëve, Kuçi pothuajse asnjëherë nuk vjen në ligjëratë dhe atë e mban asistentja e tij.
Kjo e fundit, sipas studentëve, mban vetëm ligjëratën, por jo edhe ushtrimet e lëndës për çka është e thirrur.
Një studente (emri i njohur për redaksinë) thotë se Kuçi asnjëherë nuk vjen dhe ligjëratë dhe atë e mban gjithmonë asistentja e tij, Jehona Lushaku.
Jehona Lushaku, asistente në lëndën “Institucionet, Vendimmarrja dhe e Drejta e Unionit Evropiane” e ka konfirmuar se vazhdimisht ajo mban ligjëratat e kësaj lënde, ngaqë Kuçi nuk vjen në ligjëratë.
Ajo thotë se arsyeja pse Kuçi nuk vjen për të ligjëruar është ngaqë nuk paguhet për këtë angazhim të tij në Fakultetin e Shkencave Politike.
Sipas saj, sivjet është viti i 14-të që Kuçi nuk paguhet për këtë ligjëratë.
“Kuçi ka qenë i paraparë në program të akreditimit kur kemi aplikuar, sepse ai është i vetmi profesor që e ka të Drejtën Evropiane mandej kur kemi filluar ne kemi llogaritur që Kuçi vjen, por sipas informatave, meqë këtë punë ai e ka si vend të tretë të punës, nuk po u pagujke kurrë për Shkenca Politike”, thotë Lushaku.
Ajo thotë se në nivelin master, Kuçi asnjëherë nuk ka pasur kontratë. Ajo thotë se këtë çështje e kanë diskutuar me grupin punues të fakultetit kur është hartuar syllabusi i lëndës, mirëpo thotë se nuk kanë marrë aprovim prej Kuçit se ai do ta mbajë ligjëratën.
Lushaku thotë se Kuçi asnjëherë nuk ka qenë dhe se ligjërata në vazhdimësi është mbajtur nga ajo. Ajo thotë se nuk paguhet për ligjërata mirëpo vetëm për ushtrime.
“Kemi mbetë në emergjencë dhe është dashur me mbajtë unë për shkak që kam qenë asistente e lëndës. Unë e kam punuar krejt programin dhe syllabusin për shkak që nuk kemi arritur në marrëveshje me Kuçin”, thotë ajo.
Ajo thotë se ligjëratën e mban një orë e gjysmë, duke kombinuar ligjëratën me ushtrime, ndërkaq thotë se për semestrin e ardhshëm duhet të gjendet një zëvendësim për ato lëndë në të cilat është paraparë t’i mbajë Kuçi.
I kontaktuar për t’u pyetur se pse nuk ka qenë i pranishëm më 18 dhjetor në ligjëratë dhe a ka të bëjë kjo mungesë me vendimin e rektoratit, Kuçi ka thënë se kjo nuk ka të bëjë me vendimin e rektorit.
Sipas tij, ai në Shkenca Politike ka thënë se ligjëron që disa vite pa pagesë.
“Në shkenca politike (ligjëratat) i mbaj pa pagesë qe disa vite. Nuk është çështje pagese, por duhet vendim për këtë”, thotë Kuçi.
Ligjëratën që parashihet ta mbajë Kuçi, vazhdimisht e ka mbajtur asistentja e tij Jehona Lushaku.
Në bashkëpunim me studentët, asistentja Lushakuka ka vendosur që ligjërata e paralajmëruar për ditën e enjte, të mbahet të martave duke nisur nga ora 18:30.
Më 12 janar, e martë, as Kuçi e as Lushaku nuk kanë qenë në ligjëratë.
Një studente (emri i njohur për redaksinë) na ka konfirmuar se ligjërata nuk është mbajtur të martën në mungesë të Kuçit e Lushakut. Ajo thotë se për mosmbajtjen e ligjëratës nuk ka qenë e njoftuar, siç nuk ka qenë e njoftuar se kur do të zëvendësohet.
Ndërsa, sa i përket angazhimit të Kuçit në Fakultetin e Shkencave Politike, prodekani për çështje financiare në Fakultetin Filozofik, Agim Zogaj, ka thënë se në studimet bachelor, Kuçi mban ligjëratat, por nuk i llogaritet norma.
“Kuçi mban ligjërata pa kompensim, pra pa pagesë”, ka thënë ai.
Ndërkaq për në master, ai ka thënë se Kuçi nuk ka kontratë. Sipas tij, Fakulteti Filozofik ka kërkuar nga rektorati që t’i bëhet kontrata për angazhime të jashtme për shkak që ato kontrata mungojnë.
Zogaj tha se kontrata nuk i është dhënë ende prej rektoratit për angazhimin e tij në master dhe është në pritje të saj.
Edhe Kuçi ngjashëm si dy kolegët e tij ministra dhe kryetari i Kushtetueses ka edhe vende tjera pune dhe merr paga të mëdha nga to.
Në faqen zyrtare të Agjencisë Kundër Korrupsion, sipas deklarimit të pasurisë për 2014, Hajredin Kuçi ka deklaruar se mban pozitën e ministrit të Drejtësisë, profesorit në UP, nënkryetarit në PDK-së, si dhe zëvendëskryeministrit. Këtë të fundit më nuk e mban pas formimit të qeverisë së re.
Në këtë deklarim të bërë në mars të 2014-ës, thuhet se Kuçi merr 1 mijë e 183 euro në muaj si ministër i Drejtësisë, 488 euro si profesor në UP si dhe 600 euro tjera në muaj i merr nga Universiteti i Pejës.
Po ashtu Kuçi i merr edhe 70 euro në muaj si honorar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Dekanati i Juridikut nuk komentoi
Gazeta Jeta në Kosovë gjatë muajit janar ka kontaktuar disa herë edhe me Dekanatin e Fakultetit Juridik për të marrë përgjigje nga dekani i atëhershëm Bajram Ukaj, por ai asnjëherë nuk është përgjigjur.
Në telefon vazhdimisht është përgjigjur asistentja e dekanit, Sevdije Rexhepi, e cila gjithmonë ka thënë se dekani nuk gjendet në zyrë.
Pyetje janë dërguar edhe në e-mail të Ukajt, por ai nuk ka kthyer një përgjigje.
Gazeta Jeta në Kosovë gjatë muajit janar ka qenë edhe në zyrat e Dekanatit të Fakultetit Juridik ku sërish ka hasur në Sevdije Rexhepin, asistenten e dekanit Ukaj.
E pyetur se pse dekani nuk po përgjigjet në pyetje, ajo ka thënë se “me gjasë dekani nuk po gjen kohë”.
“Pjesën time të punës e kam kry. Ai nuk është këtu, për momentin nuk e di agjendën e tij”, ka thënë Rexhepi.
Ndërkaq, edhe përfaqësues ndërkombëtarë kanë shprehur qëndrimet e tyre sa i përket angazhimit të profesorëve të UP-së edhe në pozita tjera.
Samuel Zhbogar, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, gjatë një diskutimi në kuadër të shkollës dimërore të mbajtur më 19 janar 2015, ka folur për çështjen e profesorëve që krahas UP-së, janë të angazhuar edhe në poste tjera, raporton gazetajnk.
Ai ka thënë se, në Universitetin e Prishtinës, ekziston një çështje sa i përket stafit, disa nga të cilët krahas UP-së, janë të angazhuar edhe në ndonjë Universitet tjetër, gjë sipas tij u pamundëson profesorëve dhe asistentëve të fokusohen dhe të dedikojnë tërë kohën në UP.
“Nëse ata kanë një sërë përkushtimesh tjera krahas UP-së, atëherë pa dyshim se puna në Universitetin Publik do të mbetet mangut”, ka thënë Zhbogar.
Sipas tij, kjo është një çështje duhet që të shikohet.