
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se për projektbuxhetin e vitit 2024 duhet të flitet në kontekst të asaj që qeveria ka zotuar dhe asaj që është paraparë.
Ai ka thënë se me këtë projektbuxhet Qeveria Kurti shkon në total me menaxhim të 11.4 miliardë eurove, pra për katër vjet.
Më tej Hoti ka thënë se struktura e buxhetit është përkeqësuar, duke përmendur rritjen e subvencioneve deri në 40 përqind e rënien e investimeve kapitale.
“Janë premtuar 160 çerdhe e janë përfunduar vetëm pesë e disa janë planifikuar për vitin 2025. Zotimet tjera nuk kanë filluar fare, si banimi sociale, sigurimet shëndetësore, privatizimi është duke vazhduar. Fondi Sovran ka kaluar në lexim të parë. Trendi I rritjes ekonomike është rënës. Në 2 përqind për tremujorin e tretë të vitit 2023”, ka theksuar Hoti.
“Ky buxhet ka shpërputhje me zotimet, prioritetet ekonomike dhe nevojat e qytetarëve”.
Ish-kryeministri Hoti ka përmendur edhe sanksionet ndërkombëtare që sipas tij e kanë përkeqësuar gjendjen në vend.