Hoti: Shpresoj të mos kërkohet largimi i Kosnettit siç ndodhi me ambasadorin zviceran

E publikuar: 25/04/2019 13:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka mirëpritur deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të ngritin zërin ndaj punësimeve mbi baza partiake dhe ndaj zyrtarëve që pasurohen në kurriz të buxhetit të shtetit.

Hoti thotë se shpreson që zyrtarët qeveritarë të mos e kërkojnë largimin e ambasadorit Kosnett nga Kosova, siç ndodhi me ambasadorin zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, i cili pati kritikuar qeverinë për veteranët e rrejshëm.

“Përshëndes deklarimin e qartë të ambasadorit amerikan në Prishtinë për punësimet në institucione mbi baza familjare, nepotiste dhe partiake. Shpresoj se tash ndonjë nga dhjetëra ministrat apo zëvendësministrat nuk do të kërkojë ‘largimin’ e tij, siç kërkuan për ambasadorit zviceran”, ka shkruar Hoti në Facebook.