Hoti i premton Kusari-Lilës përgjigje për zgjerimin e hyrje-daljeve në Gjakovë

E publikuar: 06/09/2016 16:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një takim mes kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari Lilës dhe ministrit të Financave, Avdullah Hoti është diskutuar për hyrje-daljet në këtë komunë.

Kusari-Lila ka thënë se Gjakova është e vetmja komunë që nuk ka hyrje-dalje të zgjeruara dhe kjo po ndikon në lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Sipas një komunikate për media, Hoti ka thënë se për shkak të keq menaxhimit të financave nga qeverisja e kaluar lokale, Gjakova ka pasur kufizime ligjore që kanë penguar projektet e tilla.

“Hoti ka thënë se për shkak të problemeve financiare, konkretisht keq menaxhimit financiar nga ish – qeverisja lokale, komuna e Gjakovës ka pasur kufizime ligjore, të cilat e kanë penguar që të jetë përfituese e projekteve të tilla, megjithatë, ai, ka shtuar, se është duke i shqyrtuar mundësitë që këto kufizime të tejkalohen dhe ky projekt të fillojë se realizuari”, thuhet në komunikatë.

 

Sipas saj, Hoti ka siguruar që brenda pak javësh do të ketë një përgjigje përfundimtare për këtë projekt, deri sa ka shtuar se tashmë do të kontaktojë me zyrtarët e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të cilët tash e sa kohë kanë shprehur gatishmëri për sigurimin e bashkëfinancimit në realizimin e këtij projekti dhe bashkë edhe me fondet e qeverisë, do të shikojnë mundësitë për fillimin e realizimit të këtij projekti.

Ndryshe, siç thuhet në komunikatë, përveç kërkesave të shumta, komuna e Gjakovës tashmë i ka përfunduar të gjitha obligimet e veta sa i përket këtij projekti, duke e përfunduar Studimin e Fizibilitetit dhe Studimin e Ndikimit në Mjedis, dy kushte këto që kërkohen nga partnerët ndërkombëtar, para fillimit të realizimit të projektit.