Hoti pas takimit me Lajçakun: Sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm

E publikuar: 02/03/2021 10:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me u.d. të presidentes është pritur në takim nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, raporton Ekonomia Online.

Për këtë takim, Hoti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se dialogu me Serbinë nga korriku i vitit 2020 ka rifilluar mbi tri parime bazë e që janë, diskutimi për marrëveshje reciproke, sovraniteti e integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm,  ndërsa Kushtetuta e Kosovës është e paprekshme.

Hoti po ashtu i ka uruar suksese Lajçakut në finalizimin e dialogut

“Emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, z. Miroslav Lajçak falënderova për bashkëpunimin e deritanishëm në ndërmjetësimin e procesit të dialogut me Serbinë dhe i dëshirova sukses në finalizimin e këtij procesi”.

“Prej  korrikut 2020, dialogu rifilloi mbi tri parimet bazë:  do të diskutohet për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke,  sovraniteti e integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pa negociueshëm,  ndërsa Kushtetuta e Kosovës është e paprekshme”, ka shkruar Hoti.