Hoti paralajmëroi iniciativa ligjore në favor të prodhuesve vendorë

E publikuar: 02/11/2017 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti së bashku me deputetët anëtar të Komisioneve fushëveprimtari e të cilave lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit, priti në takim anëtarët e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Grupit Parlamentar të LDK –së dhe komunitetit të biznesit, në veçanti u diskutua për zbatimin e masave të reja të politikave fiskale, ku u vlerësua se këto masa do të ndihmojnë zhvillimin e sektorit privat, përkatësisht prodhuesve brenda vendit tonë dhe të gjithë atyre që vijnë për të investuar.

Hoti siguroi anëtarët e Klubit se do të kujdesen dhe do të procedojnë me  iniciativat ligjore në mënyrë që masat e reja fiskale nga Pako Fiskale 2.0 të hyjnë sa më parë në fuqi, si dhe do të kujdesen që hartimi dhe zbatimi i politikave tatimore nga ana e Qeverisë të kenë në fokus mbështetjen e prodhimit vendorë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Sipas një komunikate, në takim u diskutua edhe për angazhimin e Grupit Parlamentar të LDK-së për të përkrahur dhe shtyrë përpara pakon e Ligjeve të cilat përfshijnë Ligjin Antidumping, Ligjin për Masat Mbrojtëse dhe Ligjin për Tregti të Brendshme, ligje këto të cilat do të ndihmojnë prodhuesin vendor dhe do t`i krijojnë kushtet të barabarta në treg.

Ndërsa, Panxha, drejtor Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës e vlerësoi lartë përkushtimin dhe gatishmërinë e kryetarit dhe deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK – së  për të bashkëpunuar me komunitetin e biznesit, si dhe për gatishmërinë për të mbështetur në përmirësimin e kushteve të të bërit biznes.