Ish-ministri i Financave, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti e ka quajtur të kundërligjshëm vendimin e Qeverisë në detyrë për Projektbuxhetin e 2026-ës. Për veprimet e kundërligjshme, Hoti thotë se nuk mund të pret se veprime as nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani meqenëse sipas tij ajo ka qenë në vazhdimësi në linjë me shkelësit e kushtetueses dhe ligjeve.
“Dje, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pranuar në adresat zyrtare Projektligjin për buxhetin e vitit 2026, i cili është miratuar nga Qeveria në detyrë dhe kundërligjshëm është dorëzuar në Kuvend. Kryetari i Kuvendit është bërë pjesë e shkeljeve ligjore duke e shpërndarë atë tek deputetët. Ky veprim përbën tejkalim të autorizimeve ligjore që ka Qeveria në detyrë. Në të kaluarën, ka pasur raste kur Qeveria në detyrë e ka përgatitur projektbuxhetin, por dorëzimi në Kuvend është bërë vetëm nga Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi. Shkelja tjetër ligjore është se Projektligji i prezantuar në mbledhje të Qeverisë është bërë nga një deputet dhe u dorëzua në Kuvend nga një deputet tjetër, të cilët sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme janë duke i mbajtur kundërligjshëm pozitat e ministrit dhe kryeministrit. Nuk e kuptoj se çfarë duhet të ndodhë tjetër që të shohim veprime institucionale, të bazuara në ligje, të organeve të sundimit të ligjit për të parandaluar këto shkelje ligjore dhe abuzime me resurset publike. Sigurisht se nuk pres reagimin e të parës së shtetit për të ndaluar funksionimin qartësisht jo kushtetues të Qeverisë në detyrë. Ajo ka qenë në vazhdimësi në linjë me shkelësit e kushtetutës dhe ligjeve”, ka shkruar Hoti.
Hoti madje akuzon Presidenten se bashkë me Kurtin nuk kanë hallin e qytetarëve por të tyrin
“As ajo dhe as Kurti nuk e kanë hallin e qytetarëve. Halli i tyre është si të ruajnë pushtetin, të cilin fatkeqësisht po e mbajnë duke prodhuar kriza në shkelje të ligjit e kushtetutës. Këta janë politikanë që mbijetojnë në politikë vetëm përmes krizave. Nuk dinë dhe nuk mund të mbijetojnë politikisht në situata të normalitetit politik, pasi situatat normale politike nuk i pranojnë mashtruesit”, ka shkruar Hoti.

















