Sot është pothuajse e pamundur të përfytyrosh një botë që nuk e ka “konceptin zero”. Megjithatë, deri dikur, në shumicën e shoqërive anembanë botës, numri zero thjesht nuk ekzistonte fare.
Megjithatë, shpikja e zeros vlerësohet të ketë përcaktuar në thelb rrjedhën e historisë moderne, duke siguruar bazën matematikore për shumë nga shpikjet dhe teknologjitë që kanë formësuar botën moderne.
Kalkulimet, algjebra, algoritmet dhe sistemet moderne të informatizimit të gjitha varen nga ky inovacion vital matematikor.
Dhe së fundmi, historianët janë vënë “në gjurmë” të asaj se nga ku dhe kur numri zero është përdorur për herë të parë.
Kështu, përcjell Telegrafi, ekzistojnë disa dëshmi se disa shoqëri të lashta kanë dashur të shprehin konceptin e “asgjësë” dhe përdorën një hapësirë për të treguar se ku do të ishte pozicionuar “zero” ndër numrat tjerë.
Sipas mediave, një zbulim i kohëve të fundit sugjeron se deri në shekullin e 3-të apo të 4-të, simboli modern për zero-n kishte ardhur në përdorim në nënkontinentin indian.
Dorëshkrimi i famshëm Bakhshali, i gjetur në një fushë pranë Peshawar në Pakistanin e sotëm, është vërejtur prej kohësh për paraqitjen e hershme të numrit zero si një pikë.
Ishte menduar fillimisht se ky dorëshkrim datonte nga shekulli i 9-të, por puna e kohëve të fundit nga shkencëtarët dhe historianët në Universitetin e Oksfordit sugjeron se kjo mund të jetë deri në 500 vjet më e vjetër sesa thuhej më parë.
Kështu, do të thotë se mund të datojë që nga shekulli i 4-të ose i 3-të.
Në dorëshkrimin Bakhshali, “pika zero” përdoret ende si “zero” në vend të një numri të qartë, por historianët besojnë se përdorimi i tij në këtë tekst shënon një ndryshim drejt konceptualizimit të zeros si një numër i rëndësishëm në të drejtën e tij.
Sipas mediave, përcjell Telegrafi, rreth mesit të shekullit të 5-të pas Krishtit, matematikanët indianë po përdornin zeron si një numër të rëndësishëm në llogaritjet e tyre, duke i lejuar ata të zgjidhin probleme komplekse matematikore.
Rrënja e këtij ndryshimi mund të ketë qenë e lidhur me konceptet dhe filozofitë e përfshira në sistemet budiste dhe hindu të mendimit.
Nillim të shekullit të 7-të, astronomi indian dhe matematikani Brahmagupta shkroi përkufizimin e parë të qartë matematikor të zero-s, megjithëse ai nuk pretendonte të kishte shpikur vetë konceptin.
Në vend të kësaj, duket se ai tashmë ishte në përdorim në matematikën indiane për disa kohë para se Brahmagupta të shkruante “librin” e tij.
Numri zero u përhapë shpejt nga India dhe ishte veçanërisht me ndikim në formimin e zhvillimeve matematikore dhe filozofike në botën mesjetare islame, duke hapur rrugën për ekuacione komplekse, algjebër dhe kalkulime. Ishte në këtë pikë që simboli arab për zero, një rreth i vogël erdhi në Perëndim, si pjesë e sistemit hindo-arab të numrave.
Gjithsesi, u desh pak kohë para se koncepti i zero-s të nisej në Evropën Perëndimore. Pjesërisht, rezistenca ndaj idesë ishte si filozofike ashtu edhe fetare.
Tradita filozofike perëndimore nuk kishte konceptin e asgjësë; në të vërtetë, një koncept i tillë mendohej të ishte një pamundësi teologjike.
Madje numri zero u identifikua me djallin, dhe si rezultat, pati skepticizëm fillestar për dobinë dhe vlefshmërinë e tij.
Megjithatë, numri zero ka arritur të formësojë botën moderne në mënyra të thella. Zhvillimet matematikore që dolën si rezultat i zbulimit të tij kanë formësuar filozofitë tona, zbulimet shkencore dhe inovacionet teknologjike.
Ky numër madje vazhdon të formësojë hetimet bashkëkohore në fizikë dhe matematikë, pasi është një komponent kritik për të kuptuar fizikën kuantike, nocionin e pafundësisë dhe madje edhe origjinën e vetë universit. /Telegrafi/