Haxhiu takon zyrtarin nga BE, flasin për reformat në drejtësi dhe zhvillimet e fundit në veri

E publikuar: 30/05/2023 14:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot është takuar me Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Charles Fries, shefin e zyres së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, shefin e EULEX-it në Kosovë,  Lars-Gunnar Wigemark dhe përfaqësues të tjerë.

Gjatë këtij takimi, ministrja Haxhiu foli për prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë reformën në drejtësi, çështjen e Vetingut dhe ndryshimet e nevojshme ligjore si dhe adresimin e luftës kundër dhunës në familje dhe trajtimin e krimeve të luftës.

“Ministrja Haxhiu vlerësoi lartë bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë me mekanizmat e BE-së dhe misionin e EULEX-it në fushën e sundimit të ligjit. Në këtë takim, është diskutuar edhe për situatën e krijuar së fundmi në veri të Mitrovicës pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit ku u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë”, thuhet në njoftimin e bërë për media.