Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se kërkesa për lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për kriminelët e Masakrës së Reçakut është lajm i mirë për drejtësinë dhe shtetin tonë sepse për herë të parë po shihen përpjekjet serioze për trajtimin e krimeve të luftës.
Sipas saj, qeverisjet e kaluara sikurse edhe sistemi prokurorial në krye me ish kryeprokurorin Lumezi nuk kanë pasur as vullnetin e as interesin për trajtimin serioz të këtyre krimeve ndaj popullit tonë.
“A duhet të japin përgjegjësi për gjithë këtë mosveprim?”, ka pyetur ajo në llogarinë e saj në Facebook.
“A duhet të japin përgjegjësi KPK që ende edhe përkundër faktit që kemi shtuar buxhetin që më shumë se 16 muaj, nuk është plotësuar me prokurorë e bashkëpunëtorë, Departamenti për krime lufte në kuadër të PSRK?”.
“A ka përgjigje sistemi se pse nuk po zbatohen dispozitat për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës edhe përkundër që kemi hequr pengesat?”.
“Është tejet e rëndë që misionet e instaluara në Kosovë, UNMIK e EULEX sikurse edhe sistemi jonë i drejtësisë nuk kanë bërë sa duhet në drejtim të hetimit dhe gjykimit të shumë krimineleve të luftës me qëllim që të sjellim drejtësi për qindra masakra në Kosovë e as për Masakrën e Reçakut të cilën e rikujtuam dje”.
Sipas saj, shumë më tepër do të mund të bëhej menjëherë pas luftës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, e në veçanti nga 2018 e këtej.
“Institucionet tona jo vetëm që janë themeluar nga gjaku i të rënëve dëshmorë edhe martirë, por e kanë obligim themeltar të sjellin drejtësi për secilin krim të kryer nga shteti i Serbisë”