Deputetja dhe anëtarja e Kryesisë së lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka folur në lidhje me suspendimin e tre policëve të cilët nuk e ndalën për kontroll Adem Grabovcin, teksa ky shkonte në Prokurori për t’u intervistuar.
Haxhiu ka sjell në kujtesë rastin kur djemtë e Grabovcit kanë rrahur policin Avni Selaci, pasi ky i fundit i kishte ndaluar në komunikacion për shkelje të rregullave. E për të cilin rast, Ngadhnjim e Guxim Grabovci janë dënuar vetëm me të holla.
“Adem Grabovci shënoi edhe një rast në Policinë e Kosovës. Ai e dëshmoi se, jo vetëm se e ka dëmtuar imazhin, por edhe funksionimin e këtij institucioni. Pas skandalit të pashoq, ku djemtë e tij, në formën e kapadaive kishin rrahur policin Avni Selaci, vetëm pse i kishte ndaluar ata, tre policë të tjerë ia panë sherrin Grabovcit. Ata u suspenduan sepse nuk e ndalën shefin e shefave. Si mund ta ndalonin ata babën, kur djemtë për të njëjtin veprim i kishin rrahur policët?”, deklaroi Haxhiu.