Hashash në Kostur, arrestohen dy shqiptarë

E publikuar: 19/04/2017 14:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një sasi prej 98 kilogramë kanabis sativa u sekuestruan në vendin e quajtur “Posta e Nestorit” në afërsi të Kosturit në Greqinë veriore.

Sipas Departamentit të Antidrogës së Kosturit, në pranga ra një 29-vjeçar shqiptar, i cili u arrestua në flagrancë me sasinë e drogës në furgonin e tij.

Prej hetimeve rezultoi se, shtetasi shqiptar po e transportonte lëndën narkotike për llogari të një shtetaseje shqiptare, 34-vjeçare, e cila u arrestua në Selanik, dhe bashkëshortit të saj shqiptar 39-vjeçar, i cili arriti t’iu shpëtonte agjentëve dhe është shpallur në kërkim.

Sasia e drogës do të dërgohej në Selanik, e prej andej do të shpërndahej në tregun e narkotikëve të Greqisë së veriut, transmeton Top Channel.

Dy të arrestuarit u dërguan në Gjykatën e Kosturit, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundim të hetimeve.