Haradinaj: Tensionet në veri të papranueshme, Vuçiqit po i lëkundet pushteti

E publikuar: 26/05/2023 19:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar pas situatës së krijuar në veri. Ai ka thënë se tensionet atje janë të papranueshme. Sipas tij sulmet dhe lëndimi i policëve janë akte të rënda dhune dhe si të tilla janë të dënueshme dhe ka bërë thirrje që serbët lokalë të heqin dorë nga dhuna e siç ka thënë ai “të mos bien pre e interesave politike të Aleksandër Vuçiqit, të cilit edhe ashtu po i lëkundet pushteti”.

Haradinaj në një status në Facebook i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të jetë maksimalisht i kujdesshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë.

“Ngërçi politik me serbët lokalë të Kosovës në atë pjesë, mund të zgjidhet vetëm me dialog të hapur me ta. Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me miqtë ndërkombëtarë në kapërcimin e gjendjes së krijuar në veri. Apeloj tek qytetarët serbë dhe tek institucionet e Kosovës që të bëjnë të pamundurën në qetësimin e situatës”, ka shkruar Haradinaj.

Në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë hyrë në objektet komunale të premten, një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.