Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim kryetaren e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Tevide Imeri.
Haradinaj ka thënë se pritoritet i tij mbetet krijimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Në takim me kryetaren e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, znj. Tevide Imeri dhe anëtarët e kryesisë, konfirmuam përkushtimin tonë të plotë për transformimin e sistemit shëndetësor në Kosovë. Dialogu social dhe realizimi i Kontratës Kolektive janë hapa themelorë për ndërtimin e një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe të drejtë. Me planin tonë konkret për decentralizimin e sistemit terciar shëndetësor dhe implementimin e sistemit informativ (SISH), do të sigurojmë shërbime më cilësore për qytetarët. Prioritet i yni mbetet krijimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore me buxhet dyvjeçar, që garanton mbulim universal për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se ikja e mjekëve ndalet vetëm me përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjes së pagave.
“Përmirësimi i kushteve të punës dhe rritja substanciale e pagave për mjekët dhe personelin shëndetësor është domosdoshmëri për të ndalur ikjen e profesionistëve dhe për të siguruar shërbime cilësore shëndetësore. Kosova mund të ecë përpara drejt zhvillimit dhe mirëqenies, vetëm me një shëndetësi të fortë dhe sindikata të pavarura”, është shprehur Haradinaj.