Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz, në kujtim e nderim të të rënëve për liri. Haradinaj ka thënë se Prekazi është vendi ku merr kuptim liria.
“Në Prekazin heroik, aty ku merr kuptim liria dhe flamuri”, është shprehur ai përmes një postimi në Facebook.
Gjatë ditës, Haradinaj, ishte edhe në Boletin, duke përkujtuar figurën e Isa Boletinit.
“Në Boletin, aty ku prehet Isa Boletini, njeriu që u njoh dhe u respektua nga kancelaritë më të fuqishme të kohës, gjithnjë në mbrojtje të së drejtës së shqiptarëve që për dekada u mohua padrejtësisht, ndjeva krenarinë e përjetshme që na lë trashëgimi figura e tij”, ka theksuar ai.
Sipas tij, Isa Boletini mbetet shembull frymëzimi për të mbrojtur lirinë, identitetin dhe të drejtat.
“Ai mbetet një shembull frymëzimi për të gjithë ne, për të dashur dhe mbrojtur lirinë, identitetin dhe të drejtat tona, siç ai bëri me guxim dhe përkushtim të pashoq”, ka theksuar Haradinaj.