Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar Kryeministrin Albin Kurti si përgjegjës për pengimin e investimeve në sektorin e energjisë në Kosovë, duke theksuar se ai është “argat i Serbisë” dhe ka bllokuar projekte të rëndësishme, përfshirë gazsjellësin dhe centralet me gaz, raporton GazetaBlic.
Haradinaj ka theksuar se Kurti është i lidhur drejtpërdrejt me shitblerjen e energjisë dhe përfitimet nga këto marrëveshje, duke shkaktuar një situatë të rëndë energjetike në vend.
Ai ka kërkuar që Kurti të thirret në Prokurori për dëmët që i ka shkaktuar Kosovës.
“Për shkak se është direkt i lidhur me shitblerjen e energjisë, argati i Serbisë, Albin Kurti, ai është përgjegjësi. Ai ka penguar çdo investim në energji ndër vite, së fundmi ka mbërri me ndalë edhe gazsjellësin dhe një central me gaz, që mos me pasë energji. Kuptohet, vonë është marrë vesh pse i kanë penguar këto investime, sepse është direkt i lidhur me shitblerjen e energjisë, me përfitimet e këtyre shitblerjeve dhe fatkeqësisht e kemi gjendjen e tillë”, tha Haradinaj.
“Ai është dashtë me u thirrë në Prokurori për dëmin që ia bën Kosovës. Në vend që Kosova ta ketë energjinë e vetë të lirë, ato centrale, termocentrale ku megavati ka pasë me qenë 80 euro, ky shkon e blen 1000 euro, pra dy herë ia faturon qytetarit”, tha ai para gazetarëve.