Haradinaj: Nuk kemi vend rezervë, vetëm Kosovën e kemi dhe duhet ta ruajmë

E publikuar: 23/09/2016 19:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Deçanit se angazhimi opozitar ka ndalë Qeverinë të bëjë dy gabime të mëdha – Formimin e Asociacionit dhe Ratifikimin e Demarkacionit, njofton Klan Kosova.

“Fakti i angazhimit Kosova shpëtojë nga dy gabime; bërja e dy Kosova me Asociacion dhe nga humbja e territorit me Demarkacion”, ka thënë Haradinaj duke shtuar se opozita e ka për detyrë të mos lejojë gabime nga ekzekutivi.

“Ne nuk mund ta lejojmë qeverinë të gabojë, është detyrë e jona të mos e lëmë të gabojë”.

“Asociacioni i Komunave më Shumicë Serbe tani bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit” dhe “ne nuk kemi vend rezervë, vetëm Kosovën kemi dhe atë duhet ta ruajmë”.

“Kemi pasur rrugë të vështirë deri në pavarësi, por nuk është krejt punë e kryer, sepse nuk e kemi shtrirë sovranitetin në tërësi të shtetit, s’i kemi mbyllur çështjet me Serbinë, s’jemi në NATO, s’jemi në OKB dhe nuk kemi bërë rrugë shumë të suksesshme as për në Bashkimin Europian”.

“Prandaj për të gjitha këto është shumë më rëndësi se si qeveriset Kosova, varësisht nga kjo përshpejtohen edhe proceset. Detyrë e jona është me rritë Kosovën në ekonomi dhe me siguruar vendin se shëndetësia është si duhet e arsimi është si duhet”, pohoi Haradinaj duke u zotuar se “është nderë të punoj për vendin tim”.

“Do të vijë dita kur gjithçka që po e them do të shihet edhe me punë”.

Ai u ka rikujtuar qytetarëve të Deçanit se “gjithmonë e di nga ku jam nis dhe e di nga ku kam dalë”.