Hapet konkursi për specializim, Zemaj: Nuk do të lejojë asnjë grup interesi që ta pengoj këtë proces

E publikuar: 30/07/2020 11:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj përmes një konference për media, ka bërë të ditur se që na sot është hapur konkursi për shkollim specialistik.

Zemaj ka thënë se ky proces ka qenë i bllokuar që katër vite, duke shkaktuar kështu deficit të kuadrove profesionalë shëndetësorë.

Ai ka thënë se ky konkurs është hapur për 1034 persona, shkruan Telegrafi.

“Krahahas luftimit me pandeminë kemi punuar edhe për procese tjera. Hapja e konkursit për shkollim specialistik është një proces ndër më të rëndësishmit për profesionistët e rinj shëndetësorë. Për katër vite, katër gjeneratave u është mohuar specializimi duke shkaktuar kështu deficit të kuadrove profesionale në shumë lëmi specialistike tejet të nevojshme për sistemim tonë shëndetësorë.

Ky konkurs është hapur për 1034 vende për shkollim specialistik, numër rekord që nuk ka ndodhur asnjëherë deri më sot në vendin tonë”, ka thënë Zemaj.

Zemaj theksoi se ky konkurs është ndarë në dy grupe, ku njëri menjëherë do të kyçet në luftën kundër pandemisë.

“Në këtë konkurs kemi ndarë dy kategori të specializimit, në kategorinë e parë janë përfshirë profilet specialistike me interes nacional që janë të nevojshme në luftën kundër COVID-19, këta mjek dhe specializantë të ardhshëm menjëherë do të kyçen në institucione shëndetësore duke iu ndihmuar kështu kolegët e tyre, që në këto ditë të vështira janë të dëmtuar nga oraret e zgjatura dhe rrezikshmëria e lartë që ushtrojnë profesionin e tyre.

Në kategorinë e dytë janë lëmit tjera specialiste që jo drejtpërdrejtë janë të lidhura me luftën kundër pandemisë, por që vazhdojnë të jenë të rëndësishme për shërbimet shëndetësore në vend”, tha Zemaj, duke kërkuar nga të gjithë që ta përkrahin këtë proces.

Zemaj u zotua se si ministër i Shëndetësisë, nuk do të lejojë asnjë grup interesi që ta pengoj këtë proces.

“Si ministër nuk do të lejojë asnjë grup interesi që të pengoj të rinjtë të shkollohen dhe avancohen për Kosovë. Duhet ta ruajmë trurin këtu në Kosovë, dhe të mos lejojmë largimin e të rinjve që duan të shërbejnë në vendin e tyre”, tha Zemaj.