Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza u zotua se gjatë mandatit të tij qeverisës do të themelohet Bursa e Kosovës.
Hamza deklaroi se ajo do të shërbejë si platformë e tregut të kapitalit për sektorin privat, që mundëson krijimin e një kanali të ri për mbledhjen e fondeve nga investitorët.
“Bursa, tregu i kapitalit duhet të bëhet me qëllim që ndërmarrjet të jenë të kuotuara në bursë, të kenë mundësinë të bëjnë shitblerjen e aksioneve, që të rritet investimi prej sektorit privat dhe të zgjerohet ekonomia.” – tha Hamza në T7.
Ai tha se për themelimin e Bursës së Kosovës do të shfrytëzojë praktikat më të mira ndërkombëtare, duke marrë përkrahje dhe asistencë teknike nga organizatat e huaja, projektet e të cilave fokusohen në zhvillim ekonomik.