Hajdari u premton përfaqësuesve të bizneseve bashkëpunim dhe përkrahje

E publikuar: 19/03/2020 09:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS), Rozeta Hajdari ka diskutuar sot me odat ekonomike vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, me prodhuesit vendor dhe importuesit, të cilët i takoi në sheshin e Prishtinës mëngjesin e sotëm.

Siç njofton kumtesa, Hajdari ka dëgjuar shqetësimet e tyre në lidhje me zbatimin e masave të marra nga vendimet dhe udhëzimet e Qeverisë për mbrojtje dhe kujdes lidhur me pandeminë COVID-19, gjatë veprimtarisë së tyre ekonomike, duke iu ofruar mbështetje dhe komunikim të vazhdueshëm për të sqaruar të gjitha udhëzimet e dhëna për zbatimin e masave dhe urdhëresave përkatëse për veprimtaritë ekonomike, lidhur me gjendjen e tanishme -emergjencë e shëndetit publik.

“Ministrja premtoi koordinim të plotë në mes bizneseve dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke ua sqaruar edhe udhëzimet e ndërmarra nga MEPTINIS në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së bizneseve pas gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19. Ministrja tha që është në shërbim të bizneseve dhe mund t’i adresojnë shqetësimet e tyre haptas, duke shtuar se udhëzimet që janë marr në këtë kohë, janë për shkak të gjendjes së pandemisë COVID-19, por me qëllim që sa më pak të afektojnë në veprimtarin e bizneseve që lejohen të punojnë”, thuhet në njoftimin për media nga kjo ministri.

Në takim, njofton ministria, ishin kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi, drejtori ekzekutiv i Klubit te Prodhuesve Astrit Panxha, drejtoresha ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare Nora Hasani, drejtoresha ekzekutive e Odës Afariste Austriake Vjosa Huruglica, drejtoreshë ekzekutivë e Rrjetit te Shitësve me Pakice Yllka Metaj, Latif Kryeziu nga “Shell Kosova”, shoqata e asociacione tjera, si dhe prodhues e importues të vendit.

“Ministrja Hajdari si ministre përgjegjëse nga Qeveria Kurti, për zhvillim ekonomik të vendit, mirëpret përfaqësuesit e bizneseve që të vijnë në kabinetin e saj, për t’i shprehur të gjitha brengat e bizneseve, dhe për t’i shqyrtuar e adresuar së bashku, në ditët në vijim”, përfundon kumtesa.