Guvernatori Mehmeti merr mbështetje nga FMN-ja dhe Thesari Amerikan

E publikuar: 21/04/2018 19:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Guvernatori i Bankës Qendrore Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që po mbahen në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takime me përfaqësues dhe zyrtarë të lartë të Thesarit Amerikan, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe me homologë të tij nga vende të ndryshme të rajonit dhe me gjerë.

Në mesin e takimeve të shumta, Mehmeti është takuar me Drejtorin e Asocuar për shërbime financiare në Thesarin Amerikan, Paul Leonovich, dhe ekipin e tij.

Në këtë takim, ai informoi Lenovich lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin financiar të Republikës së Kosovës dhe lidhur me treguesit e shëndetit financiar. Gjithashtu, Mehmeti shprehu falënderimin për kontributin që kanë dhënë SHBA-të në ndërtimin e institucioneve të Kosovës, me ç’rast shprehu mirënjohje për kontributin e madh që Thesari Amerikan ka dhënë për zhvillimin e kapaciteteve të BQK-së.

Në takim u diskutua edhe për aktivitetet e zhvilluara nga BQK-ja për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe hapat e mëtejmë që duhen ndërmarrë për ta forcuar rolon e sistemit financiar në mbështetje të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Z. Leonovich e falënderoi Guvernatorin Mehmeti për bashkëpunimin shumë vjeçarë të Thesarit Amerikan me Kosovën, si dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

Në vazhdën e këtyre takimeve, guvernatori është takuar me zëvendësdrejtorin e FMN-së, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite. Zhang e ka uruar Mehmetin për dekretimin e tij në pozitën e Guvernatorit të BQK-së.

Mehmeti po ashtu ka zhvilluar takime me Drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropë, Paul Thomsen, Drejtoreshën Ekzekutive në Konstituencën tonë në FMN, Michaela Erbenova, me Misionin e FMN-së për Kosovë dhe përfaqësuesit e MCM-së (Monetary Capital Market) të kryesuar nga Paul Mathieu.

Përveç takimeve si më sipër, ai zhvilloi takime edhe me përfaqësues të Bankës Botërore, me Cyril Muller, zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore. Po ashtu, Guvernatori Mehmeti u takua edhe me, Franc Godts, Drejtor Ekzekutiv në konstiuencën tonë në Bankë Botërore.

Ai po ashtu mori pjesë edhe në takimet e konstituencave të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është Republika e Kosovës. Në të gjitha këto takime u vlerësua lartë puna e BQK-së në sigurimin e një sistemi financiar stabil dhe në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe u shpreh gatishmëria e FMN-së për të mbështetur zhvillimin e mëtejmë të BQK-së.