Ahmet Ismaili-BQK
Normat e interesit kanë vazhduar trendin e rënies gjatë viteve të fundit dhe ky trend i njëjtë pritet që të ndodhë edhe në vitin 2025, ka thënë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili.
Ismaili ka thënë se sipas të dhënave të fundit deri në fund të nëntorit 2024, norma mesatare e interesit për kredi ka rënë në 6.02 për qind, ndërsa hendeku mes normave të kredive dhe depozitave është ngushtuar në 3.15 për qind.
Ai theksoi se të hyrat nga tarifat dhe komisionet bankare, të cilat dikur përfaqësonin 26% të të ardhurave të përgjithshme të bankave, kanë rënë në 21 për qind gjatë viteve 2023-2024. Kjo, sipas tij, ka ardhur si rezultat i rritjes së konkurrencës në sektorin financiar dhe bankar, dhe është e mundur, sipas tij, që ky trend të vazhdojë të ulet edhe në vitin 2025.
“Normat e interesit ndër vite kanë rënë, norma e interesit në periudhën e fundit kur ne kemi të dhënat rreth fundit të nëntorit ka rënë në mesataren 6.02 për qind, pra rreth 6 për qind. Hendeku ose ai dallimi mes kredive dhe depozitave ka rënë në 3.15 për qind. Përderisa trendi është rënës ne ende presim që të vazhdoj të ketë rënie të tillë për shkak të kushteve që reflekton tregu jonë, ku norma e kredive jo përformuese është e ulët edhe ku niveli i pagimeve është i kënaqshëm. Ne presim që bankat të reflektojnë ende në këtë hendekun që ekziston mes depozitave dhe kredive dhe po ashtu ambienti presim që të jetë mbështetës në këtë drejtim. Më lejoni që të theksoj që përderisa normat e kredive ishin në trend rënës në vitet paraprake, ka ekzistuar një trend rritës deri në 2022 i të hyrave nga komisionet dhe tarifat pra të hyrave jo kamatat, jo kreditë. Dhe ky trend nga viti 2023, 2024 dukshëm ka rënë, pra nga 26 për qind që ishte të hyrat nga tarifat dhe komisionet kundrejt të hyrave të përgjithshme të bankës, ai ka rënë në rreth 21 për qind kjo kryesisht për shkak të llogarisë bazike dhe rritjes së konkurrencës në sektorin financiar dhe në bankar, pra ne presim që trendët rënëse në të komisione, tarifa dhe kamat të vazhdojnë që të bien vitin që vjen”, ka thënë ai për EO.