Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) pas përjashtimit të Listës Serbe nga Kuvendi.
Gruda e ka cilësuar këtë veprim si një lojë politike të qëllimshme, të cilën e konsideron si pjesë të fushatës zgjedhore të VV-së.
“Ajo çka ka ndodhur sot në Kuvend është pjesë e një lojës politike. E vërteta është se zonja Kusari që është koordinuar me Listën Serbe”, ka thënë Gruda në Debat Plus.
Sipas Grudës, shumica parlamentare, përfshirë Mimoza Kusari-Lilën, ka bashkëpunuar në të kaluarën me Listën Serbe dhe kryeterroristin, Millan Radojçiq.
“Dhe nëse kryetari i Kuvendi, duhej dikë ta përjashtojnë, duhej fillimisht zonjën Kusari. Dua tua kujtoj që kjo shumicë parlamentare ka zgjedh presidenten me votat e Radojçiqit për t’i hapur rrugë edhe zgjedhjes së Qeverisë. Votat e Radojçiqit, Listës Srpska, kanë qenë vendimtare në zgjedhjen e presidentes Osmani. Për mu u zgjedh Qeveria, hapi i parë është zgjedhja e presidentes, pra i ka hap rrugë edhe zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës. Kjo që ndodhi sot është një pjese e spotit elektoral të VV-së. Kaq e thjesht kjo. Ky spot bëhet në kurriz të shtetit të Kosovës, sepse është një politik e papërgjegjshme që dëmet do t’i vërejmë këtu”, ka shtuar Gruda.
Ndërkaq, deputetja e VV-së, Shqipe Selimi, ka thënë se veprimi për ndalimin e deputetëve të Listë Serbe ka qenë spontan dhe individual.
“Veprimet tona kanë qenë veprimet individuale aty për aty. Kanë qenë veprimet frustruese, nuk kanë qenë kundër asnjë subjekti politik”, ka thënë ajo në Debat Plus.