Gratë “Hasjane” vendosen në sheshin “Zahir Pajaziti”

E publikuar: 19/12/2020 18:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompozicioni skulptural “Hasjanet” të akademik Luan Mulliqit, është vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Në këtë ngjarje ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e cila tha se pavarësisht se ky vit ka qenë sfidues për ministrinë që ajo drejton, artistë si Luan Mulliqi e bëjnë të ndjehet krenare.

Ajo tha se është e lumtur që vepra të tilla që tregojnë historinë e gruas hasjane në etapa të ndryshme, po vendoset në hapësira publike në kryeqytet.

“Ky vit ka qenë shumë sfidues në pjesën e kulturës dhe artit, por artistët s’ka që i ndalon, shpirti i tyre gjithmonë punon dhe na sjellin artin më të bukur dhe më fisnik. unë jam sot e nderuar që jam mysafire e akademik Luan Mulliqit i cili na ka bërë krenar jo vetëm në vendin tonë por edhe jashtë vendit me skulpturat e tij, më emrat më eminent të historisë sonë, por edhe të fytyrave ndërkombëtare të cilat kanë dhënë kontribut të madh. Si ministre e Kulturës ndihem më e fuqishme si grua dhe si bijë e këtij vendi, që mbas meje janë skulpturat e gruas hasjane e cila jo për veç që i shohim, por tregojnë historinë e gruas dhe rëndësinë që e ka pasur nëpër etapa të ndryshme. Kjo është edhe një falënderim i madh që dua të ia bëjë akademik Luan Mulliqit i cili edhe fuqizimin e femrës gjithmonë e ka parësor”, tha ajo.

Ndërsa skulptori Luan Mulliqi tha se koncepti i kësaj vepre ka të bëjë me një amanet që i lihet trashëgimtarëve.

“Është kënaqësi e veçantë që tashmë në hapësirat publike kemi një vepër të artit me një temë të veçantë të hasjanëve e cila është trashëgimia më autoktone që e kemi dhe më vjen mirë që sonte po i kremtojmë dy ditëlindje. Njëra është ditëlindje familjare që ka të bëjë me mbesën time dhe të njëjtën kohë është një ditëlindje e një monumenti i cili si një monument pasqyron trashëgiminë familjare. Vet koncepti i kësaj vepre ka të bëjë me një amanet që i lihet trashëgimtarëve që atë që ne nuk kemi mund të arrijmë që ata të punojnë që të jenë më të avancuar në pikëpamje edhe shoqërore edhe kombëtare më shumë se ne”, tha ai.