Google mund të gjobitet për herë të tretë nga Komisioni Evropian

E publikuar: 15/03/2019 23:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Google mund të goditet nga një gjobë e tretë nga Bashkimi Evropian javën e ardhshme për shërbimin e reklamimit AdSense raportoi ditën e sotme agjencia e lajmeve Reuters.

Komisioni Evropian në 2016-ën hapin një rast të tretë ndaj motorit më popullor të kërkimit në botë duke akuzuar Google se kishte ndaluar palë të treta të përdornin produktin AdSense për të treguar reklama të konkurrentëve të kompanisë.

Sipas raportimeve Google atëherë mbante 80% të reklamimit online në Evropë dhe kishte aplikuar praktika të tilla anti kompetitive për mese 1 dekadë.

Në përgjigje të lajmeve Google ndryshoi kushtet e kontratave AdSense me palët e treta duke u lënë më shumë hapësira për reklamim.

Komisionerja për konkurrencën Margaret Vestager në fillim të muajit Mars tha se ishte pranë finalizimit të çështjes.

Vitin e kaluar ajo gjobiti Google me një shifër rekord prej 4.34 miliardë euro për sistemin operativ Android që beson se e ka përdorur për të bllokuar rivalët.

Përpara saj ishte një gjobë tjetër prej 2.4 miliardë euro në 2017-ën për shërbimin e shitblerjeve online. Megjithatë AdSense mund të mos shënojë fundin.

Një tjetër çështje që po përflitet në Komisionit Evropian është ajo se Google ka ulur pozitat e rivalëve lokalë në rezultatet e kërkimit çka do të çonte në një rast të katërt. /PCWorld Albanian