Goditje e rëndë për Arsenalin, Shkodran Mustafi mungon deri në tetor

E publikuar: 28/07/2020 21:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Arsenali nuk do të mundë të llogarisë në Shkodran Mustafin të paktën deri në tetor, pasi qendërmbrojtësi shqiptar iu nënshtrua një operacioni të vogël në muskulin e këmbës së djathtë.

28-vjeçari e lëndoi muskulin në fitoren e Arsenalit 2:0 kundër Manchester City në gjysmëfinale të FA Cup më 18 korrik, transmeton Gazeta Express.

Klubi nga Londra veriore konfirmoi të martën se Mustafi e ka kryer me sukses operacionin, pasi u vlerësua shkalla e lëndimit të tij.

Si pasojë, ish-përfaqësuesi i Gjermanisë nuk do të mundë të luajë në finale të FA Cup kundër Chelseat më 1 gusht, që është një humbje e madhe për Arsenalin duke qenë se Mustafi po e rigjente formën e vjetër nën udhëheqjen e Mikel Artetas.

Për më tepër, Mustafi do ta mungojë edhe në fillim të sezonit të ri 2020/21 në Premierligë, i cili nis më 12 shtator.

Në një komunikatë për media, Arsenali konfirmoi se Mustafi synon të rikthehet në stërvitje të plota në tetor. /Gazeta Express/