Kreu i Gjykatës me qendër në Holandë e cila i heton krimet e pretenduara të luftës të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) gjatë konfliktit të saj me forcat serbe dy dekada më parë ka kërkuar nga diplomatët e BE t’i dalin në ndihmë në luftën kundër një fushate për të minuar punën e saj në Kosovë.
Në një konferencë konfidenciale për diplomatët evropianë në Hagë më 11 shkurt, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova paralajmëroi se Gjykata po përballet me përpjekje të shtuara nga brenda Kosovës për të penguar procedurat e vazhdueshme ligjore, përfshirë ato kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është paditur për krime lufte vitin e kaluar.
Në një transkript informues, të siguruar nga Euronews, Trendafilova tha se tashmë po bëheshin përpjekje për të kundërshtuar ligjin që themeloi Gjykatën në vitin 2015 dhe mund të përfshijë përpjekje ose për të falur të dënuarit për krime ose edhe për ta zhvendosur krejt Gjykatën – dhe të dhënat e e saja voluminoze konfidenciale – nga Haga, ku është aktualisht e vendosur, në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.
“Kjo sigurisht që do të vërë në rrezik jetën dhe sigurinë e njerëzve që kanë ose do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht, do të kishin një efekt tronditës për dëshmitarët, të cilët mund të mos dëshirojnë të paraqiten tash e tutje, duke e bërë kështu të pamundur që Prokurori i Specializuar të vazhdojë me çështjet e tij”, tha Trendafilova.
Trendafilova, e cila është me shtetësi bullgare, gjithashtu paralajmëroi mbi sigurinë e dëshmitarëve që paraqiten në ndjekje penale në çështjet në vazhdim dhe u kërkoi vendeve evropiane ta marrin në konsideratë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi” përmes së cilës dëshmitarët dhe familjet e tyre do të mund të zhvendoseshin në Evropë.
“Pa këto marrëveshje, do të jetë shumë e vështirë nëse jo e pamundur në disa raste për të siguruar që dëshmia mund të jepet lirshëm dhe pa ndonjë frikë”, tha Trendafilova.
Në tetorin e vitit të kaluar, Dhomat e Specializuara e kanë paditur Thaçin dhe ish-kryetarin e parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, për akuza për krime lufte, së bashku me dy ish-anëtarë të tjerë të UÇK-së.
Thaçi dhe Veseli ishin komandantë të lartë gjatë viteve 1998 dhe 1999 kur UÇK e përkrahur nga NATO luftoi njësitë e ushtrisë jugosllave dhe paramilitarët serbë pas një fushate të spastrimit brutal etnik që pa qindra mijëra kosovarë të largohen me forcë nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të tjerë të vrarë.
Aktakuza kundër Thaçit, Veselit dhe dy të tjerëve pretendon se ata ishin përgjegjës për mizoritë kundër serbëve dhe pakicave të tjera, si dhe shqiptarëve etnikë të akuzuar si bashkëpunëtorë me forcat serbe. Të gjithë të akuzuarit i mohojnë akuzat kundër tyre.
Një zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës deklaroi Euronews se konferenca ishte konfidenciale dhe kopja ishte shpërndarë aksidentalisht dhe kishte për qëllim përdorimin e brendshëm të misioneve diplomatike. Nuk është e bërë e ditur akoma se sa njerëz e morën transkriptimin në fjalë.
Garda e vjetër
Paditë e Thaçit dhe Veselit, dhe puna e Gjykatës në përgjithësi kanë qenë çështje diskutimi që kur u krijua kjo Gjykatë në vitin 2015 me një vendim të Parlamentit kosovar.
Kosova, e cila shpalli pavarësinë e saj më 2008, është udhëhequr kryesisht nga politikanë që ishin ish-luftëtarë të UÇK-së, përfshirë Thaçin, i cili shërbeu si kryeministër dhe president.
Edhe ata që nuk janë miq të gardës së vjetër të politikanëve kosovarë – të tillë si Albin Kurti, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje – e kanë kritikuar Gjykatën në fjalë.
Kurti ka bërë thirrje që akuzat për krime lufte të dëgjohen në gjykatat lokale dhe jo në Hagë, ku janë vendosur Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ndryshe nga Tribunali Ndërkombëtar për krimet në Ish Jugosllavi (ICTY), Kurti – i cili ka të ngjarë të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës pas zgjedhjeve të ditës së diel – tha se Gjykata me qendër në Hagë e ka veçuar UÇK-në.
Euronews ka kontaktuar me një zëdhënës të Kurtit dhe Ministrinë e Drejtësisë të Kosovës për të dhënë ndonjë koment.
Udhëheqësi jugosllav Sllobodan Millosheviq ishte paditur për krime lufte nga ICTY së bashku me shtatë figura të tjera ushtarake dhe politike serbe pas luftës në Kosovë.
Gjashtë prej tyre u dënuan dhe u burgosën me 15 dhe 27 vjet burg dhe një prej tyre u shpall i pafajshëm. Millosheviqi vdiq gjatë gjykimit të tij në vitin 2006 për krime të kryera në Kosovë, si dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për Ish Jugosllavinë (ICTY) gjithashtu ka ngritur padi kundër një numri ish-udhëheqësish të UÇK-së për krime lufte, disa prej të cilëve ishin ngritur në poste të larta brenda qeverisë së Kosovës.
Në vitin 2005, pasi kishte shërbyer si kryeministër për vetëm 100 ditë, ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, u padit nga ICTY, dha dorëheqje dhe u dorëzua në Hagë.
Haradinaj u shpall i pafajshëm në vitin 2008, u gjykua përsëri në vitin 2011 dhe përsëri u shpall i pafajshëm.