Gjuriq pyet se cili është qëllimi i dialogut nëse i dihet fundi, kërcënon Serbia

E publikuar: 21/04/2018 15:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se si mund të dialogohet në qoftë se paragjykohet rezultati i negociatave.

Këto komente i bëri duke folur rreth Platformës së Kosovës për bisedime, të cilën e ka miratuar Qeveria e Kosovës, e të cilën ia ka dorëzuar kreut të shtetit Hashim Thaçi, anipse pa e ratifikuar Kuvendi i Kosovës.

Platforma thotë se dialogu ka për qëllim anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe njohjen reciproke. Gjuriq u ka thënë gazetarëve se “nuk është i habitur nga një qëndrim i tillë i Prishtinës dhe se nuk ka pritur më shumë nga politikanët që shërbehen me truke të tilla”.

“Nëse qoftë se paraprakisht çimentohet qëndrimi, atëherë shtrohet pyetja e çfarë do të jetë mundësia për të bërë diçka. Prandaj, kjo është një çështje që ka të bëjë me ndërmjetësuesit në bisedime, të cilët mendoj se duhet ta thonë qëndrimin e tyre të qartë për këtë çështje, kurse mua, fakti që Prishtina ka bërë këtë lëvizje, aspak nuk më befason. Shiheni se si ata javët e fundit kanë treguar se çfarë mendojnë për negociatat”, tha Gjuriq.

Në anën tjetër, sipas Novostit, Beogradi kërcënon me tërheqje nga dialogu nëse Kuvendi i Kosovës i jep dritë jeshile Platformës së Qeverisë.

“Nëse parlamenti në Prishtinë miraton platformën e Qeverisë në të cilën është parashikuar se me anë të bisedimet të ketë njohje të plotë të ndërsjellë të Beogradit, dhe në të cilën përmendet karrigia për Kosovën në OKB, Serbia nuk do të ulët më në tryezën e dialogut”, shkruan Novosti, duke u thirrur në burime brenda Qeverisës së Serbisë.

“Beogradi nuk dëshiron të hyjnë më thellë në grackën ku nën mbulesën e dialogut fshehët karrigia e OKB-së për një shtet të rremë, dhe në heshtje të njohim neutralitetin me Kosovën”, thotë burimi.

Por në Kosovë nuk shihet konsensus për këtë platformë. Koha Ditore në numrin e sotëm shkruan se opozita i ka dhënë përgjigje kërkesës publike të Qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj që të mbërrihet konsensus për fazën finale të dialogut me Serbinë. Sipas opozitës, nuk mund të ketë konsensus për aq kohë sa vendi drejtohet nga një qeveri e pakicës, shkruan sot Koha Ditore.

Kabineti që e drejton Haradinaj ka humbur shumicën në Kuvend, prej rreth një muaji kur atë e braktisi Lista Serbe. Qeveria nuk ka reflektuar pas kësaj situate. Përkundrazi, ajo do që t’u japë rrugë edhe proceseve të mëdha, sikur është faza finale e dialogut me Serbinë.

Kësisoj, dy ditë më parë e ka miratuar një Platformë referuar kësaj faze dialogu, e cila, mes tjerash, autorizon presidentin Hashim Thaçi t’i prijë procesit, dhe thekson se delegacioni i Kosovës do të krijohet “në koordinim me të gjithë spektrin politik, në respektim maksimal të unitetit politik në vend”.

Lidhja Demokratike është subjekt politik në opozitë, por ka grupin më të madh parlamentar në Kuvend. Kjo parti ka qenë vazhdimisht pro procesit dialogues me fqinjin verior.