Gjithçka gati për seancën e Demarkacionit, deputetët fillojnë të hyjnë në sallë

E publikuar: 22/02/2018 11:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite është votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Në sallë kanë arritur disa deputetë të LVV-së.

Qeveria e Kosovës ia ka bashkangjitur këtij Projektligji edhe një raport të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, i cili nuk e mbështet Marrëveshjen e arritur me Malin e Zi më 2015, si dhe Deklaratën e nënshkruar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes të cilës shprehet gatishmëria dypalëshe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë procesit të demarkacionit të kufirit.

Për ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje, nevojiten 80 vota të deputetëve apo dy të tretat e numrit të tërësishëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, votën kundër e ka paralajmëruar vetëm Lëvizja Vetëvendosje, përderisa subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, pritet që të kërkojë shmangien e votimit për raportin e Komisionit shtetëror, të cilin e konsideron vetëm si një draft të papërfunduar.

Ndërkohë, mbetet dilemë se si do të votojnë deputetët e Listës Serbe, të cilët me përcaktimin e tyre mund të kenë rol vendimtar nëse marrëveshja do të ratifikohet apo jo.

Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, mbetet kushti i fundit, që i ka vënë Komisioni Evropian Kosovës, në procesin e liberalizimit të vizave./lajmi.net/