Gjermanët frikësohen se do të ketë luftë – vetëm më 1999 frika ishte më e madhe se sot

E publikuar: 22/03/2023 18:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shumica dërrmuese gjithashtu kanë frikë se Gjermania nuk është në gjendje të mbrohet dhe do të bëhet vetë palë në luftë, zbuloi të mërkurën një sondazh i posaçëm nga kompania gjermane e sigurimeve R&V, raporton AA.

Sipas sondazhit, 63% e gjermanëve kanë frikë se Gjermania nuk do të jetë në gjendje të mbrohet në rast lufte. “Gjendja e keqe e Bundeswehrit pasqyrohet qartë në rezultatet e sondazhit tonë të veçantë”, tha drejtori i studimit Grischa Brower-Rabinowitsch në një deklaratë për shtyp nga kompania e sigurimeve, transmeton Klankosova.tv.

Frika se Gjermania nuk mund të mbrojë veten “është rritur me 23% që nga vera e kaluar”, tha Brower-Rabinowitsch. “Ne rrallë shohim një rritje kaq të madhe në sondazhin tonë”, shtoi drejtori i studimit.

55% kanë frikë se Gjermania do të përfshihet në një luftë. Kjo është një rritje prej 13% nga viti 2022. “Është e qartë se lufta e tmerrshme e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po trondit ndjenjën e sigurisë së gjermanëve”, tha Brower-Rabinovich.

Ai shtoi: “Frika se vetë Republika Federale mund të bëhet palë në luftë nuk ka qenë kurrë më e madhe në këtë mijëvjeçar”.

Vetëm në vitin 1999, gjatë luftës së Kosovës, u gjetën vlera më të larta në sondazhin e R&V. Në atë kohë, 60% e të anketuarve thanë se kishin frikë nga lufta.

Dallimet midis Gjermanisë perëndimore dhe asaj lindore u panë në lidhje me frikën e luftës. Ndërsa 66% e gjermanolindorëve i frikësohen një lufte me përfshirjen gjermane, shifra në perëndim është 53%.

Ka edhe dallime mes gjinive. Një lufte me pjesëmarrjen gjermane i frikësohen 63% të grave dhe 48% të burrave.

Për anketën përfaqësuese, 1000 qytetarë në Gjermani janë pyetur online. /Klankosova.tv