Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në panelin “Media and Freedom” të Samitit të Demokracisë, foli mbi këtë temë, duk u nisur nga jeta e saj personale.
“Babai im ka qenë gazetar”, tha ajo. “Si disident në Jugosllavinë komuniste, ai u detyrua të largohet nga vendi dhe të shkojë në Gjermani”, nisi rrëfimin ministrja Gërvalla.
“Kur unë isha 10 vjeç, ai u vra në Gjermani, prapa shtëpisë sonë, nga shërbimi sekret jugosllav, i dominuar nga Serbia”.
Më tej, ajo shpjegoi se madje edhe në vitin 2022, në televizionin serb të kontrolluar nga qeveria — një ish-agjent, përgjegjës për planifikimin e atyre vrasjeve, krenohej për vrasjen e babait të saj, dhe vrasje të tjera të tilla.
“Ky është realiteti në Serbi, Evropë, në vitet 2022 dhe 2023 dhe është e rëndësishme ta njohim këtë realitet”, rikujtoi ajo në lidhje direkte me këtë forum.
Duke shpjeguar arsyen, ajo tha se e përmend këtë për të treguar se nuk është çështja tek fjalët e bukura apo tek qëllimet abstrakte, por kërcënimi për lirinë, demokracinë dhe mediat e lira është real.
Gërvalla tha se Kosova është një vend demokratik dhe i qëndrueshëm ndaj lajmeve të rreme.
“Kemi jetuar nën një regjim të dhunshëm serb, i cili na përbuzte duke na përshkruar si një racë të klasit të dytë, ashtu si Putini sot ua mohon ukrainasve dinjitetin, të drejtën për të ekzistuar”, krahasoi ajo.
Ministrja Gërvalla rikujtoi se të njëjtën gjë bëri edhe Serbia kundër Kosovës. “Dhe më vonë luftoi kundër të gjithë popullatës tonë, duke u përpjekur në vitin 1999 madje ta na dëbojë të gjithëve nga territori ynë”, rikujtoi kryediplomatja kosovare.
Për më tepër, ajo tha se ministri serb i informacionit – pra i lajmeve të rreme dhe gënjeshtrave – gjatë periudhës së gjenocidit, ishte Aleksandar Vuçiqi, tani president i Serbisë.
“Sot, Kosova është një vend i pavarur dhe ne jemi duke strehuar gazetarë ukrainas”, tha ajo.
Gërvalla shpjegoi se Kosova u ndihmoi atyre të krijojnë një qendër të fuqishme të gazetarisë dhe në të njëjtën kohë një qendër të fuqishme për të luftuar lajmet e rreme që lidhen me Ukrainën dhe Rusinë.
“Pasi që kjo iniciativë u tregua e suksesshme, tani jemi duke strehuar edhe gazetarë afganë”, shpjegoi ministrja Gërvalla.
Ajo tregoi se falë internetit, shpërndarja e lajmeve të vërteta është po aq e lehtë sa edhe ajo e lajmeve të rreme, dhe demaskimi i tyre është i mundshëm nga çdo vend.
“Pra, do të doja t’iu bëj thirrje të gjithë kolegëve, në çdo vend, që ta bëjnë një përpjekje të tillë. Për aq kohë sa ne hezitojmë t’iu sigurojmë “të mirëve” atë që nevojitet për të luftuar produktin e “të këqijve”, këta të fundit do të kenë përparësi”.
“Varet nga vendosmëria jonë nëse do ta fitojmë apo humbim këtë betejë për të vërtetën, demokracinë dhe lirinë”, u shpreh ajo.
“Ne në Kosovë do të ishim të lumtur nëse do të mund të ndihmonim në këtë rrugë.”