Gërvalla: Do të ketë luftë nëse ndërkombëtarët e tolerojnë përsëri Serbinë

E publikuar: 02/10/2023 11:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, ka deklaruar për televizionin publik gjerman se nëse bashkësia ndërkombëtare e toleron presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe nëse vazhdon të ketë qasje të njejtë me të, mund të ketë luftë.

“Nëse komuniteti ndërkombëtar i toleron veprimet e Serbisë, do të ketë luftë.”

Serbia dëshiron të krijojë fakte për ta detyruar Kosovën të negociojë çështjet territoriale në Bruksel.

Sipas Gërvallës, BE duhet të ngrijë statusin e Serbisë si vend kandidat.

Ajo deklaroi se “ministri i Propagandës së Millosheviqit e di mirë se si t’i shfrytëzojë gabimet e perëndimit.”

“Kjo nuk është hera e parë që Vuçiq sjell trupat ushtarake në kufi me Kosovën. Kjo nuk është hera e parë që ai kërcënon me luftë.”- tha Gërvalla.

Kryediplomatja kosovare shtoi se Vuçiq po dëshiron t’i bëjë presion Qeverisë së Kosovës për të negociuar për territore.

“Presidenti serb ka treguar para tetë ditësh se cili është plani i tij, dhe plani i tij është okupimi i një pjese të Kosovës.”

“Kjo s’do të ndodhë. Kjo përpjekje ka dështuar dhe si shkak i kësj një polic i yni është vrarë. Dhe grupi terrorist ka qenë i përgatitur për të kryer një sulm me 400 persona. Dhe, për fat të mirë kjo ka dështuar dhe ne nuk e dimë se cili është plani i tyre për të ardhmen”, theksoi kryediplomatja kosovare.