Gërvalla dhe ambasadorja kanadeze Blitt, diskutojnë për sfidat e sigurisë në rajon

E publikuar: 14/11/2024 12:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt, me të cilën diskutuan për marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy vendeve, sfidat e sigurisë në rajon dhe rolin mbështetës të Kanadasë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, raporton Ekonomia Online.

Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë për Kosovën dhe përkushtimin për të thelluar marrëdhëniet ndërshtetërore përmes bashkëpunimeve të reja, jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në ekonomi, arsim dhe teknologji.

Investimet strategjike dhe projektet e përbashkëta në sektorët ekonomik, kulturor dhe të sigurisë u vlerësuan si mundësi konkrete për të avancuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve, me mërgatën tonë si një garanci për marrëdhënie të fuqishme mes Kosovës dhe Kanadasë.