Gërvalla: BE-ja të mbajë qëndrim më të vendosur ndaj Serbisë për afërsinë me Rusinë

E publikuar: 12/10/2022 13:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mbajë një qëndrim më të vendosur ndaj Serbisë për shkak të afërsisë me Rusinë.

Gërvalla, në një intervistë për mediumin austriak “APA”, ka akuzuar BE-në për politika “qetësuese” ndaj Beogradit, njofton Klankosova.tv.

“Serbia po tregon sot se nuk ka interes për anëtarësim në BE, kështu që do të ishte përfundim logjik që të ngrinte statusin e kandidatit dhe fondet që shkojnë me statusin kandidat”, tha Gërvalla-Schwarz në intervistën për APA.

Një lëvizje tjetër e BE-së mund të jetë vendosja e sanksioneve ndaj oligarkëve serbë që bëjnë marrëveshje energjetike me oligarkët rusë.

“Sepse nuk është në rregull që një shtet evropian si Serbia në mes të Evropës është i vetmi që edhe financiarisht i përkrah dhe i shpërblen ata që po bëjnë këtë luftë kundër Ukrainës”, tha Gërvalla.

“Ndërsa ne të gjithë po shikojmë se si t’i japim fund kësaj lufte, si të tregojmë solidaritet dhe si ta dobësojmë Putinin jo vetëm verbalisht, por edhe ekonomikisht dhe politikisht, ka një prej nesh në Ballkanin Perëndimor që nuk po e bën këtë, dhe për fat të keq. është fqinji ynë verior Serbia”, kritikon Gërvalla-Schwarz.

Ajo akuzon BE-në për “zbutje” në raport me Serbinë.

“Unë mendoj se Bashkimi Evropian po bën shumë pak. Edhe në vitet 1990, BE-ja u përpoq që konfliktin në Ballkan ta shohë gjithmonë nga njëra anë, në mënyrë që të bëhet sa më e lehtë të injorosh problemet dhe të mos i shohësh ato.” thotë ministri i Jashtëm kosovar. Sipas Gërvalla-Schwarz-it, megjithatë, problemet që nuk merren parasysh nuk do të zgjidhen, por vetëm do të bëhen më të mëdha.

Prandaj nevojitet një “strategji shumë e qartë” se si mund të përfundojë procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Nuk mjafton më të thuash: fëmijë, uluni dhe mos u grindni, vërtet duhet të vini në tryezë me një mesazh të qartë dhe nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër nga ky dialog përveç njohjes reciproke”.